Sh.B.A. në kërkim të Presidentit të 45-të

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbahen më 8 nëntor të këtij viti. Sistemi i zgjedhjes së të nominuarve nga radhët e partive në Sh.B.A., është shumë i komplikuar dhe nga shumë cilësohet si i vjetruar dhe në nevojë të një reforme. Partitë në vend zgjedhin kandidatët e tyre për President nga vota e qytetarëve të 50 shteteve, Uashington D.C.-së dhe territoreve të tjera amerikane, si dhe super-delegatëve, të përbërë kryesisht nga senatorë dhe përfaqësues gjatë fillimit të vitit 2016. Në nëntor, kur qytetarët e shtetit më të fuqishëm në botë, japin votën e tyre për të zgjedhur presidentin e 45-të, sipas kushtetutës së vendit, ata vota nuk kanë shumë rëndësi. Në fakt, Presidentin në SH.B.A. e zgjedh ‘kolegji elektoral’ i përbërë nga 538 delegatë i ndarë nga përqindja e numrit të popullsisë së secilit shtet. Për shembull, Kalifornia ka 55 delegatë dhe nëse kandidati për president arrin të fitojë më shumë se 51% të votave, ai i merr të gjithë kandidatët. Ky sistem është gjithashtu shumë i kritikuar nga politikologë dhe studiues të tjerë sepse teknikisht nuk i jep qytetarëve të drejtën e zgjedhjes. Shembulli konkret është me garën e viti 2000, ku pavarësisht se Al Gore nga Partia Demokratike fitoi rreth gjysmë milioni vota më shumë se Xhorxh Bush, ai nuk arriti të nominohet sepse kishte më pak delegatë se Bush.

Për herë të parë që nga viti 2008, Shtetet e Bashkuara po shohin dy partitë më të mëdha në vend duke mbajtur zgjedhje brenda partive (primaries), për të zgjedhur kandidatët e tyre për President. Çuditërisht, të dy partitë kanë parë edhe politikanë jashtë kornizave partiake, respektivisht Donald Tramp dhe Berni Sanders të fitojnë më shumë vota se sa ndonjëri do ta kishte paramenduar.

Pas deklarimit të Hillari Klinton, ish Sekretares së Shtetit për kandidimin për presidente, në prill të vitit të kaluar, të gjithë sytë u fokusuan tek ajo, si kandidatja e mundshme dhe favorite për të fituar zgjedhjet në nëntor të këtij viti. Klinton, njëherit edhe ish Zonja e Parë e Shtetit, ka qenë aktive në skenën politike amerikane, duke qenë avokate për të drejtat e grave, pakicave dhe komunitetit LGBT. Ajo është një ndër diplomatet më me ndikim në Amerikë, duke e mbajtur postin e krye-diplomates në qeverinë amerikane gjatë periudhës 2009-2013. Ka udhëtuar në mbi 110 shtete gjatë postit të saj si sekretare shteti, duke qenë prezente edhe në skenën politike në Ballkan, e kryesisht për pavarësinë e Kosovës, që Klinton e quante si të patjetërsueshme.

Në anën tjetër, shpejt pas Hillari Klinton, partisë Demokratike iu shtua edhe një kandidat tjetër për president; senatori Berni Sanders. Sanders, i cili politikisht është i pavarur dhe përfaqësues i shtetit të tij Vermont në Senatin e Shteteve të Bashkuara, i hyri garës me shumë polemika, kryesisht për shkak të pikëpamjeve të tij politike. Orientimin e tij politik, Sanders e quan si ‘social-demokrat’, mirëpo me që amerikanët zakonisht njihen si liberal ose konservatorë, mediat nuk hezituan ta quanin atë socialist, e herë – herë edhe komunist.

Pavarësisht fillimit të vështirë, deklaratat e Sanders tërhiqnin dhjetëra mijëra njerëz, kryesisht të rinj në mbledhjet e tij nëpër të gjithë qytetet e Sh.B.A-ve. Kjo sepse sipas Sanders, arsimi në Amerikë duhet të jetë plotësisht falas, pa kosto të larta, për të cilën Amerika edhe njihet. Ai gjithashtu mendon se klasa e lartë e Amerikës, sipas tij, një përqindëshi i shtetit, ka më shumë pasuri se 50% e pjesës tjetër, dhe për këtë arsye ata duhet të paguajnë më shumë taksa.

Sanders nuk është i vetmi ‘outsider’ apo i jashtëm në listën e kandidatëve. Në radhët e Partisë Republikane, favoriti për të fituar nominimin është Donald Tramp, një biznesmen, me një pasuri prej 4.5 miliardë dollarësh. Biznesi dhe jeta e Tramp, kanë gjetur vend të përhershëm në mediet amerikane, duke qenë i ekspozuar që nga vitet 90-ta. Ai njihet edhe për emisionin e tij “The Apprentice” dhe për kritikat e shpeshta ndaj politikanëve amerikan, e sidomos gjatë vitit 2008, ku Tramp dyshonte se kandidati i atëhershëm për President, Barak Obama, nuk ka shtetësi amerikane. Fillimi i fushatës së Tramp nuk u mor seriozisht nga amerikanët, pavarësisht vëmendjes së madhe që mediet i jepnin.

Mirëpo, ngjashëm me Sanders, Tramp, edhe pse jo përfaqësues i Partisë Republikane, shpejt u bë favoriti për të fituar nominimin. Deklaratat e tij gjatë vitit nëpër fushata, janë cilësuar si raciste, seksiste dhe të rrezikshme për diversitetin në Amerikë. Ai propozoi të ndërtohet një mur përgjatë kufirit amerikano-meksikan, t’i ndalohej hyrja të gjithë myslimanëve në Sh.B.A., kritikonte gazetarë, kritikonte ish luftëtarët amerikan dhe shumë polemika të tjera. Pavarësisht kësaj, për herë të parë në vite, anketat kishin të drejtë – Tramp ishte drejt rrugës së nominimit. Që nga fillimi i përzgjedhjeve nga secili shtet, Tramp dhe kundër- kandidati i tij Ted Kruz, po fitonin gati çdo garë, me Tramp akoma në vend të parë.

Për momentin, në radhët e partisë Demokratike, kanë mbetur vetëm Sanders dhe Klinton, në rrugë për të fituar nominimin. Statistikat e votuesve duket se nuk do të ndryshojnë. Sanders vazhdon të fitojë votën e të rinjve dhe klasës së mesme, ndërsa Klinton nga të pasurit, gratë dhe minoritetet – e kryesisht nga afro-amerikanët, për të cilët Klinton ka qenë gjithmonë avokate e zëshme.

Nga radhët e partisë Republikane, duket se gara tanimë është përqëndruar mes Donald Tramp dhe senatorit teksan Ted Kruz, duke lënë pas senatorin nga Florida, Marko Rubio dhe guvernatorin e Ohio-s, Xhon Kasish.

Kandidatët e dy partive do të zgjidhen përfundimisht në konventat e tyre në muajin korrik. Republikanët do të njihen me kandidatin e tyre përfundimtar më 21 Korrik, ndërsa demokratët më 28 Korrik.

Përgatiti: Rinor Nuhiu (Student në drejtimin Komunikim Ndërkombëtar) 


Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *