Për gjuhën tonë nuk ka se kush të kujdeset, ajo kërkon mëshirën tonë

Gjuha shqipe në Maqedoni, por mbase edhe më gjerë nuk po mbrohet nga institucionet. Ajo bastardohet në të folur, por sidomos në të shkruar.  Gjuha shqipe flitet dhe shkruhet keq nëpër shkolla,  mediume, libra, publikime të ndryshme etj. Sidomos deformimi i saj është i pranishëm në publikime që botohen nga Organizata të ndryshme joqeveritare dhe kryesisht nga Organizata joqeveritare që drejtohen nga maqedonasit. Megjithëse nuk janë të pakta rastet kur gjuha shqipe shkruhet keq edhe në publikimet që botohen nga organizatat joqeveritare që tubojnë shqiptarët.

Organizatat Joqeveritare që tubojnë maqedonas, në publikimet e tyre për të arsyetuar aktivitetet në realizimin e projekteve, para donatorëve, që zakonisht janë të huaj, bëjnë përkthimin e materialeve sa për sy e faqe të gjuhës shqipe.

Them kështu sepse këto përkthime janë skandaloze, ndërsa për këtë fakt nuk shqetësohet askush. Nga ana tjetër nuk është i paktë edhe numri i organizatave shqiptare, por gjithsesi edhe institucioneve  ku përdoret shqipja, që nuk kujdesen për përdorimin dhe shkrimin e drejtë të gjuhës shqipe.

Në kundërshtim me këtë ka një përkujdesje institucionale ndaj gjuhës maqedonase. Publikimet në gjuhën maqedonase i nënshtrohen një kontrolli të rreptë të lektorëve dhe njohësve të mirë të gjuhës. Dëshmitare e kësaj praktike ka qenë kohë më parë një organizatë joqeveritare në qytetin e Strugës, së cilës i është urdhëruar nga një institucion i lartë, për ta ripunuar një material të përgatitur në gjuhën maqedonase, me arsyetimin se ai përmban gabime të shumta gramatikore dhe ortografike.

Veprimi i institucionit në fjalë mund të konsiderohet i drejtë, sepse gjithsesi kujdesi për gjuhën dhe shkrimin e saj është shumë i rëndësishëm për çdo popull. Por, me të njëjtën rreptësi këto institucione do të duhej të vepronin edhe kur objekt bastardimi është gjuha shqipe.

Për më tepër në kushtet kur institucionet në Maqedoni, i kushtojnë pak rëndësi kësaj çështje, do të duhej që së paku vetë shqiptarët, të përkujdesen për gjuhën e tyre. E mira e mirës është që shqiptarët që na përfaqësojnë në institucione të përkujdesen për gjuhën tonë ashtu siç bëjnë maqedonasit për të tyren, por nuk do të ishte pa ndikim edhe nëse vetë ne shqiptarët do të përkujdeseshim më shumë për zbatimin e normës letrare dhe drejtshkrimit aty ku veprojmë.

Kjo sepse kohëve të fundit në mediet e shkruara dhe elektronike, në institucione, shkolla etj ne e flasim dhe e shkruajmë me shumë gabime gjuhën tonë. Ne shpesh nuk i kushtojmë rëndësi drejtshkrimit apo drejtshqiptimit të gjuhës shqipe, duke anashkaluar kështu shumë rregulla të gjuhës tonë, si ato gramatikore, sintaksore etj.  Ndaj, dhe çdo ditë e më shumë shohim se si gjuha jonë po degradohet.

Nga gabimet e shumta qe bëhen në të folur dhe të shkruar të gjuhës sonë, do të përmendim vetëm disa të tilla.

Njëri nga gabimet të cilin e vërejmë më shpesh është përdorimi i gabuar i disa trajtave foljore. Vëmë re se në vend të trajtës \”do të punojë\” përdoret trajta \”do të punon\”. Ja disa shembuj të tjerë: duhet të vlerëson, kërkon të shikon etj.

Një gabim tjetër mjaft i përhapur është përdorimi i shkronjës (ë) aty ku nuk duhet, ose mospërdorimi i saj kur është i nevojshëm. Te foljet të cilat përfundojnë me bashkëtingëllore, si për shembull : zbardh, mësoj, lag, shoh, shtohet zakonisht një ë, e cila nuk është e nevojshme, duke marre formën: zbardhë, mësojë, lagë, shohë.

Një praktikë tjetër e  përhapur shumë, edhe pse është e gabuar është përdorimi i përemrit pronor të vetës së dytë shumës \”juaj\”. Ky përemër përdoret në shumë mënyra të gabuara, si për shembull shpesh shtohen nyjet e përparme. Shembuj : shtëpitë e juaja, mësuesi i juaj, kënga e juaj etj.

Krahas këtyre mund të gjenden edhe shumë shembuj të tjerë nëpër të gjitha mediat. Gjithsesi, është detyra jonë, si shqiptarë që të kujdesemi për gjuhën tonë, t\’i respektojmë rregullat e saj, ta shkruajmë e ta flasim në mënyrën e duhur duke e ruajtur kështu nga degradimi.

Një kujdes të veçantë duhet t\’i kushtojnë gjuhëtarët si dhe mediat, pasi ata kanë një rëndësi mjaft të madhe. Gjuha jonë është një gjuhë e lashtë dhe me shumë vlera prandaj ajo duhet mbrojtur institucionalisht nga çfarëdo lloj keqtrajtimi apo nënçmimi që mund t’i bëhet.

Përgatiti: Besartë Arifi (Studente e drejtimit të Gjuhës dhe letërsisë shqipe)


Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *