‘Shqiptarët janë një popull karakteristik në shumë aspekte. Për to thuhet se janë gjaknxehtë dhe kanë temperament shumë impulsiv. Por, gjithashtu ky popull është për t’u vlerësuar për të drejtën zakonore. Një të drejtë të tillë zakonore të gjithë popujt fqinjë e kanë pasur zili, dhe lëre më ta kenë pasur të kodifikuar siç ka ndodhur tek shqiptarët.
Përfshirja ime në debate të ndryshme ma bëri të qartë pasqyren e gabuar që kanë njerëzit mbi kanunin. Ato e cilesojnë si një gjë të keqe. Megjithatë parë nga aspekti i vlerave, duhet të shqyrtohen rrethanat kohore dhe faktorë të tjerë. Një gjë themelore duhet të kuptohet për kanunin. Kanuni paraqet një të drejtë civile dhe penale në suazat e së drejtës zakonore, dhe në të njejtën kohë paraqet edhe një kodifikim të së drejtës. Kanuni në mënyrë të detajuar ka rregulluar shumicën e çeshtjeve shoqërore. Gjithashtu ka ruajtur edhe disa ideale si nderi, liri të ndryshme dhe nëpërmjet tij është bërë vleresimi për jetën e njeriut. Disa mund të flasin për pozitën e vështirësuar të femrës në Kanun. Është e vërtetë që ka një pozitë të vështirësuar sipas botëkuptimeve të sotme, megjithatë është shumë më e favorshme se pozita e femrave në të gjitha vendet europiane deri para kodit të Bonapartit. Pra, nga kjo kuptojmë që Kanuni ka bërë rregullimin e marrëdhënieve shoqërore dhe e gjithë kjo duhet parë në spektrin historik dhe jo atë juridik pozitiv sepse një vështrim ose vlerësim i tillë do të ishte jashtëzakonisht shumë i gabuar. Nga kjo që u përmend pak më parë kuptojmë se kanuni duhet vlerësuar si një monument historiko-juridik.
Gjithashtu një karakteristikë që gjendet mes shqiptarëve dhe ekskluzivisht vetëm në mes tyre është koncepti i besës. Besa paraqet një institucion shumë fisnik duke shqyrtuar të drejtën zakonore shqiptare. Ajo pasqyron vlerat më të larta juridiko-kulturore të një shqiptari. Për të kuptuar besën duhen ditur edhe disa rrethana të tjera të cilat kanë ndikuar në formësimin e këtij institucioni. Shpesh herë shqiptarët janë quajtur njerëz që nuk e vlerësojnë jetën dhe që vriten me njëri-tjetrin. Prandaj ka lindur nevoja që të krijohet një koncept i cili do të provonte të kundërtën, se ne shqiptarët e duam dhe e vlerësojmë jetën shumë. Gjithashtu dikush mund të thotë se shqiptarët nuk kanë qenë njerëz fisnikë dhe kanë qenë të ulët për këtë arsye ka lindur nevoja të krijohet diçka për të respektuar marrëveshjet e ndryshme që kanë bërë. Kjo gjë nuk është plotësisht e saktë. Sepse marrëveshjet që janë lidhur zakonisht janë sanksionuar nga shoqëria sepse ka qenë një gjendje pa shtet të organizuar, që sanksionimin ta bënte shteti. Këtë gjë më së miri mund ta ilustrojmë me shprehjen popullore “ Burri lidhet për bese, ndërsa kau për brirësh”
Një tjetër çështje e ndjeshme që kam vërejtur është perceptimi kokteposhtë që njerëzit kanë për gjakmarrjen/hakmarrjen. Gjakmarrja ka paraqitur mjetin e vetëm dhe më efikas të parandalimit të krimeve të rënda që me termat e sotme do thuhej si preventivë gjenerale. Duke marrë parasysh gjendjen pa shtet në të cilën ndodhej shoqëria shqiptare. Duke pasur parasysh të gjitha këto, gjakmarrja paraqet instrumentin më efikas për kontrollin shoqëror. Gjithashtu vlen të theksohet se ekziston dallimi teorik në mes gjakmarrjes dhe hakmarrjes. Me gjakmarrje nënkuptojmë kur dorasi ose gjaksi (vrasësi) vritet nga një anëtar i familjes më të ngushtë të të ndjerit. Ndërsa hakmarrja paraqet vrasjen e dorasit ose gjaksit nga ana e njërit prej meshkujve të fisit përkatësisht ndonjë nga kushërinjtë ka marrë hak. Gjithashtu duhet theksuar se kjo gjë nuk është realizuar pa rregulla, por ka pasur një rregullativ të tërë në lidhje me këtë çështje. Përshembull gjaksi ose dorasi është dashur të lajmëroj vet tek shtëpia nga ku ka vrarë një person dhe ka pasur imunitet për këtë gjë. Gjithashtu pasi ka kryer veprën ka pasur një mori detyrimesh të tjera për të shlyer siç janë: marrja pjesë në varrimin e personit që ka vrarë, të ngrënit bukë në shtëpinë e të vrarit dhe një mori detyrimesh të tjera. Më pas është dashur të mblidhet kuvendi i pleqëve për të lejuar një periudhë paprekshmërie një mujorëshe për vrasësin që të shlyej obligimet dhe të vendos në rend punët e shtëpisë. Ndërsa pas kalimit të kësaj periudhe duhet të mbyllej në shtëpi, në të kundërt mund të vritej. Të përjashtuar nga vrasja sipas gjakut ose hakut kanë qenë fëmijët dhe femrat. Pra, gjërat duhen shikuar në aspektin kohor dhe premisat të cilat është dashur të përmbushen për ruajtjen e rendit shoqëror.
Duke marrë parasysh të gjitha këto që u thanë më sipër, mund të them se shqiptarët kanë vlera me të cilat mund të mburren. Pra, në vend që të gjykojmë nga botëkuptimet e sotme, për të bërë një vlerësim objektiv duhet të kemi parasysh rrethanat kohore që të sjellim një konkluzë të saktë për gjërat e sipërpërmendura, për të cilat në ditët e sotme njerëzit preferojnë të flasin kuturu. Ajo që po mundohem të them është se ne duhet të jemi krenar dhe të vetëdijshëm sepse kemi një traditë juridike të pasur dhe duhet të mësojmë nga gjërat e sipërpërmendura për të kaluar ngërçet e ndryshme të cilat e kanë kapluar shoqërinë tonë në sferën juridike.
Punoi : Enkelej Ajazi (Student në drejtimin e Drejtësië)
Leave a Reply