UEJL prezantohet përpara studentëve ndërkombëtarë në Gjermani

Fisnik Xhelili dhe Ard Hasanaj, janë dy studentët e Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, që në kuadër të programit Erasmus + janë duke e ndjekur semestrin veror në Universitetin e Edukimit të Heidelbergut, në Gjermani.

Nga 7 deri në 10 qershor, zyra e marrëdhënieve ndërkombëtare e Universitetit të Edukimit të Heidelbergut, në Gjermani, ka organizuar “Javën Ndërkombëtare” me temë: “Mobilitetet Virtuale dhe ato me prani Fizike, Ndërkombëtarizimi dhe Shkëmbimet”.

Gjatë kësaj periudhe organizata dhe institucione të ndryshme kanë prezantuar veten e tyre, në prani të stafit akademik, stafit administrativ, studentëve vendas si dhe studentëve të huaj.

Universiteti i Evropës Juglindore, u prezantua nga studentët e Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit: Fisnik Xhelili, student i Komunikimit Ndërkombëtar dhe Ard Hasanaj, student i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze.

Gjatë këtij prezantimi, ata njoftuan kolegët e tyre, me institucionin e UEJL-së në veçanti dhe u prezantuan pesë fakultetet, programet studimore si dhe jeta studentore.

Gjithashtu, nëpërmjet opsionit të eksplorimit 360* të kampusit në ueb faqen e UEJL-së,dy studentët i njoftuan kolegët e tyre me hapësirat e kampusit në mënyrë virtuale, ku morën një feedback mjaftë pozitiv.

Në mënyrë të veçantë u diskutua për Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, programet studimore që ky fakultet ofron si dhe mundësitë e këmbimit.

Studentët ndanë gjithashtu edhe përvojat e tyre pozitive në fushën ndërkombëtare. Ard Hasanaj, foli për eksperiencën e tij me prani fizike në Heidelberg, periudhën e përgatitjes, karantinën, studimet si dhe sfidat me të cilat është ballafaquar atje. Nga ana tjetër, Fisnik Xhelili, foli për mënyrën e studimit në mënyrë virtuale, studimet, ku gjithashtu theksoi sfidat, mundësitë dhe eksperiencën e tij në fushën profesionale deri më tani.

Studentët tanë, ua rekomanduan UEJL-në kolegëve të tyre nga vendet e ndryshme të Evropës, që në të ardhmen të vijnë për shkëmbim në njërin nga fakultetet përkatëse, apo ndoshta edhe për një vizitë. Gjithashtu Ardi dhe Fisniku shprehën gatishmëri që të ju ndihmojnë dhe t’i shoqërojnë nëse dikush nga kolegët e tyre do vendoste të vinte në UEJL, ku kjo gjë u prit shumë mirë nga ta.