Ekonomia e zezë që duhet “zbardhur”

Ekonomia e zezë, si një përbërës dinamik në ekspansion, përfaqëson një fushë studimi, e cila gjithmonë do të jetë sfiduese dhe e rrethuar me debate dhe paqartësi. Madje, dilema themelore e shumë shteteve të zhvilluara dhe atyre në tranzicion (sidomos vendeve të Gadishullit Ballkanik), mbetet pikërisht dimensioni i zhvillimit të ekonomisë së zezë, respektivisht struktura, madhësia dhe performanca e saj në ekonominë e bardhë. Studimet e fundit mbi dukurinë në fjalë fokusohen kryesisht në përbërjen dhe matjen e madhësisë së ekonomisë së zezë, shkaqet dhe pasojat e saj në aspektin e mirëqenies ose produktivitetit, si dhe në lidhjen mes sektorit të ekonomisë së bardhë dhe asaj të zezë.

Autorë të ndryshëm, përmes metodave direkte dhe indirekte të matjes së madhësisë së ekonomisë së zezë, kanë kryer vlerësime për periudha të ndryshme kohore dhe vlerësojnë se madhësia e ekonomisë së zezë në vendet e Gadishullit Ballkanik (përfshirë edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut) ndryshon nga 30% deri në 38% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PPB-së), pra e zezë kjo që duhet zbardhur…!

Për zbardhjen e ekonomisë së zezë janë bërë përpjekje të shumta, si nga ana e Bankës Botërore, Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, ashtu edhe nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut në drejtim të analizës së sektorit të ekonomisë së zezë, shkaqet dhe pasojat e saj në ekonominë e bardhë, ndërsa janë dhënë edhe rekomandime për zbatimin e politikave efektive në funksion të zbardhjes së ekonomisë së zezë, rrjedhimisht uljes së madhësisë së saj.

Lidhur me ekonominë e zezë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, po realizohet projekti vijues në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nën udhëheqjen e Akademik Abdylmenaf Bexhetit dhe ekipit të tij, Doc. Luljeta Sadiku dhe Doc. Shpresa Alija, projekt ky i cili – duke përdorur qasjen direkte dhe indirekte – synon t’i identifikojë shkaqet kryesore që mundësuan prezencën e ekonomisë së zezë në RMV, pasojat në ekonominë e bardhë dhe njëherazi të bëjë vlerësimin e madhësisë së saj, respektivisht pjesëmarrjen e ekonomisë së zezë në atë të bardhë!

Si shkaqe kryesore të identifikuara nga autorë të ndryshëm për shtetet e Gadishullit Ballkanik, në mesin e të cilëve edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, konsiderohen: ngarkesa e lartë tatimore, evazioni fiskal, kostot e larta të punës, shumësia e rregulloreve, burokracia, madhësia e qeverisë, transferet sociale të paguara nga ana e qeverisë, cilësia e ulët e shërbimeve publike dhe kapaciteti i ulët i Drejtorisë së të Ardhurave Publike [DAP], korrupsioni i lartë, diferencimi i kompanive nga ana e partive politike, dominimi i sektorit të bujqësisë etj.

Si tregues tjetër i rëndësishëm që rëndon ekonominë e zezë është luhatja, përkatësisht shkalla e lartë e papunësisë (posaçërisht gjatë periudhës 2004-2012), që drejtpërsëdrejti i rrit ose ul të ardhurat e gjeneruara nga tatimet dhe kontributet shoqërore. Shkalla e lartë afatgjate e papunësisë sugjeron se një pjesë e madhe e të papunëve angazhohen në aktivitete nën hije, respektivisht në sektor që i përkasin ekonomisë së zezë dhe që e bëjnë akoma më të vështirë që qeveria të synojë identifikimin e formave të tjera të punësimit të padeklaruar (të fshehur).

Duke e marrë parasysh dinamikën e punësimit të fshehur, që në vitet 2007-2010 është rritur për 2.4%, e që më tej shënon ulje për 21.4%, krahasuar me vitin 2007 e deri në vitin 2019 (punësimi i fshehur në vitin 2007 ka qenë 162.943 të punësuar në të zezë, kurse në vitin 2019 janë shënuar 128.026 të punësuar në të zezë), përmes dy skenarëve të krijuar nën supozimin se këta të punësuar në ekonominë e zezë do të operonin në ekonominë e bardhë, vlerësojmë se ekonomia e RMV-së, sipas skenarit të parë, që merr për bazë pagën minimale, është dëmtuar në aspektin financiar për rreth 24 miliardë Den (390 milionë Euro). Si rrjedhojë, të ardhurat e gjeneruara nga derdhja e kontributeve shoqërore për periudhën në fjalë kanë qenë të zvogëluara për rreth 8 miliardë Den (118 milionë Euro), të ardhura këto, që nëse do hynin në buxhet do të ndikonin në ofrimin më cilësor të të mirave publike nga organet shtetërore. Pra, pjesa e padeklaruar prej rreth 390 milionë Euro konsiderohet si aktivitet nën hije, ndërsa nëse e shprehim si përqindje të PBB-së, arrin në 3.6% (krahasuar me PBB-në e vitit 2020).

Ndërkaq, sipas skenarit të dytë, që merr për bazë pagën mesatare, konstatojmë se Republika e Maqedonisë së Veriut për periudhën 2010-2019 është dëmtuar në aspektin financiar për rreth 47 miliardë Den (755 milionë Euro), kurse të ardhurat e gjeneruara nga derdhja e kontributeve shoqërore për periudhën në fjalë u zvogëluan për rreth 16 miliardë Den (212 milion Euro). Pra, edhe në rastin e skenarit të dytë pjesa e padeklaruar prej rreth 755 milionë Eurosh konsiderohet si aktivitet nën hije, e që shprehur si përqindje e PBB-së arrin në 6.7% (krahasuar me PBB-në e vitit 2020).

Për rrjedhojë, projekti vijues që po realizohet në ASHAM, duke marrë për bazë qasjen direkte të matjes së madhësisë së ekonomisë zezë, gjegjësisht kontrollin tatimor mbi bazë të raporteve të gjeneruara nga DAP-i, vlerësoi se parregullsitë e konfirmuara (identifikuara) mbi bazë tatimore, detyrimet e tjera publike, parregullsitë në bazë të tatimit personal në të ardhura dhe kontrollet e tjera në të gjitha drejtoritë rajonale të RMV-së, për periudhën 2015-2020, rezultuan në 13 miliardë Den (215 milionë Euro). Vlera më e lartë e parregullsive të konfirmuara u shënua në vitin 2018 (në 2 miliardë Den), vlerë kjo që rezultoi edhe me numër më të lartë të kontrolleve tatimore, me gjithsej mbi 10.000 kontrolle tatimore.

Sa i përket qasjes indirekte të matjes së madhësisë së ekonomisë së zezë, përmes kërkesës për valutë ose qarkullimit të parasë së gatshme (Cash-it), si përqindje e ofertës monetare, respektivisht e agregatit monetar M1, në raportin e fundit të mbështetur nga UNDP-ja dhe i botuar në qershor të vitit 2020, konstatohet se ekonomia e zezë e Maqedonisë së Veriut përfshin aktivitete që gjenerojnë prodhim ekuivalent me 17.4% të PBB-së. Vlera më e madhe e shtuar, e gjeneruar nga sektori i ekonomisë së zezë në rastin e RMV-së, gjenerohet nga N3-shi, që përfshin prodhimin e fshehur (prodhuesit që nuk kërkojnë të regjistrohen) dhe nga N6-të ose prodhuesit që qëllimisht keqraportojnë, një vlerë kjo që flet për një korrelacion të drejtpërdrejtë me kërkesën për valutë ose për paranë e gatshme në qarkullim.

Për më tej, vetëm në çerekun e parë të vitit 2020 kërkesa për valutë shënoi rritje për 2.3%, që krahasuar me vitin 2019 arriti në 22.9%, që do të thotë se kriza COVID-19 do të ndikojë edhe më tej në rritjen e kërkesës për valutë, rrjedhimisht edhe në vlerën totale të shtuar, të gjeneruar nga sektori i ekonomisë së zezë (viti 2021 do ta dëshmojë me saktësi këtë rritje). Kjo e fundit na bën me dije se kërkesa për valutë [Cash-i] paraqitet si potenciale për realizimin e aktiviteteve të përfshira në ekonominë e zezë, ngase këto aktivitete janë realizuar me para të gatshme. E nëse kërkesën për valutë e vendosim në raport me PBB-në, konstatojmë se 22.9 % e parasë në qarkullim për çerekun e parë të vitit 2020 arriti rreth 158 miliardë Den (2.5 miliardë Euro), një vlerë kjo që tregon për mundësitë e mëdha të përfshirjes në sektorin e fshehur, ndërsa sigurisht këto mundësi janë rritur edhe si rezultat i krizës COVID-19 (si sektorë themelorë, që gjenerojnë aktivitete nën hije dhe pengojnë zbardhjen e ekonomisë së zezë, konsiderohen: bujqësia, ndërtimtaria, tregtia me shumicë dhe pakicë, transporti, etj.).

Pra, për të strukturuar (krijuar) një treg të zi dhe një ekonomi nën hije nevojitet vetëm një bashkëpunim ndërjet “policëve dhe grabitësve”! Sa herë që i zëmë grabitësit, i demaskojmë policët dhe anasjelltas. Prandaj, jorastësisht në ekonominë e Republikës së Maqedonisë së Veriut e zeza ditë-ditës po zgjerohet dhe assesi nuk po zvogëlohet (nuk po zbardhet), qoftë edhe për disa nuanca…! Madje, kjo e zezë asocon me “tumorin në qendër të trurit”, që nëse përpiqemi ta heqim, mund vetëm ta vrasim pacientin! Andaj, rrugëdalja e vetme është shërimi i dalëngadaltë i pacientit, njëjtë si ekonomia jonë e zezë, e cila duhet zbardhur dalëngadalë përmes zbatimit të masave vijuese, si: planifikimi i rregullt i kontrolleve tatimore dhe sanksionimi i kompanive që bëjnë shkelje të ligjit për tatimim, zvogëlimi i transfereve sociale të paguara nga qeveria, përmirësimi i rregullativës për bërjen e biznesit, ulja e nivelit të korrupsionit dhe promovimi i transparencës dhe përmirësimi i efektivitetit të qeverisë në përgjithësi. Në këtë drejtim nevojitet edhe ndërmarrja e aktiviteteve për ngritjen e vetëdijes dhe edukimin e bizneseve dhe familjeve. Këto aktivitete priten të ndërmerren në të ardhmen e afërt, nga cilado qoftë qeveri që do të jetë në pushtet, nëse dëshirojmë një ekonomi të shëndoshë, që përfundimisht të fillojë t’u ngjajë ekonomive të vendeve të zhvilluara.

Më shumë detaje ose vlerësime të reja për ekonominë e zezë dhe madhësinë e saj në ekonominë e Maqedonisë së Veriut pritet të publikohen pas finalizimit të projektit nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë së Veriut, i cili së shpejti pritet t’i prezantohet publikut më të gjerë.

Shkruan: Doc. Dr. Shpresa Alija
Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë/ Fakulteti i Shkencave Shoqërore Bashkëkohore, UEJL