Lajmet e rreme dhe ndikimi i tyre te publiku gjatë këtij viti!

Lajmet e rreme dhe gjendja e krijuar gjatë pandemisë Kovid 19, ka krijuar hapësirë për shpërndarje të lajmeve të rreme dhe atyre sensacionale, duke e ngulfatur informacionin e vërtet, informacionin pozitiv. Portalet, edicionet e lajmeve, por edhe rrjetet sociale janë mbushur me lajme të rreme, me burime të paverifikuara, duke ndërhyrë në jetën tonë dhe në shëndetin tonë.
Në përgjithësi të gjitha vitet e studimit kanë qenë mjaft të bukura, me eksperienca të paharruara, por ky vit i fundit e ndryshoj ritmin e gjithçkaje. Kur flas për ndryshime, gjithmonë i mendoj studimet, duke filluar nga të ligjëruarit “online”, që na pamundësoi të jemi të pranishëm fizikisht në ligjërata për gjatë gjithë vitit, i kam parasysh testimet apo provimet, që po ashtu u mbajtën “online”.
Këtu kam disa pyetje, që mendoj së kërkojnë përgjigje. Sa ka qenë efektive kjo? Sa ka qenë i sinqertë notimi dhe sa kanë qenë të sinqertë studentët në plotësimin e provimit? Besoj se ende nuk dihet! Pa marrë parasysh të gjitha këto, ky vit na bëri të ndryshojmë krejtësisht rrjedhën e studimeve.
Për ne që ishim të “vjetër” në Universitet ishte pak sa më e lehtë, duke marrë parasysh njohurit për të ligjëruarit për profesorët dhe Universitetin. Ndërsa, nga ana tjetër për ata që ishin të ri në vit të parë të studimeve besoj dhe me keqardhje e them se ka qenë më e vështirë, por që edhe nuk kanë përfituar ndonjë eksperiencë të bukur, bile dhe nuk e kanë idenë se si është ndjenja të shkosh në fakultet të përballesh drejtpërsëdrejti me profesorë, me kolegë, me emocione të reja, etj. Eh, fat i tyre!
Përveç gjithë kësaj ky vit ka sjellë ndryshime edhe më të vështira. Ky qe një vit i brishtë, fatkeq, përplot lot dhe hidhërime dhe mjaft stresues. Ky vit që solli pandeminë që përfshiu gjithë globin, shumë të sëmurë, vdekje dhe ngjarje të hidhura… Kur jemi te pandemia dhe ngjarjet që kanë ndodhur në lidhje me këtë, një rëndësi dhe rol kryesorë kishin dhe vazhdojnë të kenë mjekët, porbpërveç tyre dhe gazetarët. Pse i përmendi gazetarët? Normalisht se janë ata që vazhdimisht kanë sjellë lajme dhe informata nga më të ndryshmet për të gjithë, edhe atëherë kur krejt vendi ndodhej në periudhë karantine.
Çdokush të paktën një herë gjatë ditës ka hapur ndonjë prej rrjeteve sociale me qëllimin që të kuptoj apo të shoh se çfarë po ndodh, çfarë ka publikuar ky medium apo aj tjetri. Në drejtimin që kam studiuar unë përfshihet një pjesë e gazetarisë dhe personalisht vetë jam një gazetare e punësuar. Dhe prandaj tani dua të ndalem te kjo pjesë, te gazetaria, gazetarët dhe ndikimi i tyre te publiku. Ajo që më ka shqetësuar dhe vazhdon të më shqetësoj është të informuarit jo të drejtë, që një pjesë e kanë keqpërdorur dhe vazhdimisht kanë ofruar informacione të rrejshme te publiku duke mos e menduar më thellë ndikimin dhe pasojat te ata.
Ai që publikon pa menduar për mua nuk është gazetar dhe kjo nuk ka të bëjë me gazetarinë! Jo virusi korona do zgjasë 5 vite, jo kur infektohesh për herë të dytë e ke më keq, nëse e han dhe pinë këtë do shërohesh menjëherë nga virusi, e njerëzit duke provuar ato gjëra bëhen dhe më keq pa mos e ditur se si mund të ndikojë ajo te organizmi i tyre, është mjeku ai që të kontrollon dhe e sheh se për çfarë ka nevojë organizmi yt. Megjithatë, ata te mjeku nuk shkojnë sepse është krijuar arsyetimi dhe frika nëse shkon në spital atje të vrasin, jo nuk ka virus, jo virusi nuk është i rrezikshëm, nuk është vdekjeprurës dhe rastet dita ditës po shtohen duke menduar njerëzit se s’ka virus dhe nuk ka vdekje nga virusi po janë mjekët ato që i vrasin qëllimisht dhe duke mos u drejtuar te mjeku për ndihmë gjendja e tyre përkeqësohet.
Shumë e shumë dezinformata të tjera dhe lajme të rreme. Tmerr… Përveç informacioneve të rreme, nuk e kuptoj se pse shumica e mediave merren dhe vazhdimisht publikojnë lajme me efekte negative. Si p.sh. nëse një i ri ka ndërruar jetë, pse duhet të publikohet, bile edhe me foto… Pse duhet ende ta shqetësojmë familjen dhe të afërmit e tij? Pse të mos e lëmë të qetë atë dhe familjen e tij nga e fatkeqësia që iu ka ndodhur? Pse duhet të gjithë të dëgjojnë për vdekjen e dikujt që asnjëherë më parë se kanë njohur dhe se kanë parë? Pse ky shqetësim për të gjithë? A nuk mjafton pandemia dhe stresi i njerëzve për këtë gjendje, të sëmurët dhe vdekjet që i dëgjojmë dhe i shohim nga afër? E pse nuk publikohet kur ai i ri ka arritur diçka, ka mbaruar fakultetin me një sukses mjaft të lartë, ka krijuar diçka të re e të bukur për të gjithë, ka marrë iniciativën për të ndihmuar familjet që kanë nevojë për ndihmë? Pse nuk i nxjerrim në pah të rinjtë që perëndia ua ka falur një talent, këndon, pikturon, vallëzon, aktron, e ti mbështesim? Pse askush nuk dëgjon gjëra të bukura?
Të paktën në periudhën që ndodhemi tash çdokush ka pasur nevojë për të lexuar lajme pozitive dhe motivuese. Të jesh një gazetar duhet të kesh përgjegjësinë dhe ndërgjegjen e asaj që do e ofrosh te publiku, të mendosh pasojat dhe ndikimin tënd te ata. Dhe jo të manipulosh me pa ndërgjegjen tënde! Njerëzimi ka nevojë për lajme të bukura, të rinjtë kanë nevojë për motivim dhe ti gazetarë i dashur ofro sa të mundesh pozitivitet sepse sot çdokush ka nevojë për të dëgjuar gjëra të bukura, që ta përmbushin atë boshllëkun që e kanë në shpirt. Shpresoj që sa më shpejtë kjo situatë të tejkalohet dhe uroj shëndet për të gjithë ju dhe familjet e juaja…

Aroma Aliti,
Studente master në Komunikim Ndërkombëtarë
në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit