Alumni i UEJL-it Mevludin Memedi profesor dhe hulumtues në Universitetin Örebro në Suedi

Mevludin Memedi është nga Kumanova dhe është Alumni i Universitetit të Evropës Juglindore i gjeneratës 2002-2006. Ai ka studiuar në Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore në drejtimin Shkencat Kompjuterike. Aktualisht është profesor dhe hulumtues në Departamentin e Informatikës në Universitetin Orebro (Örebro), në Suedi. Puna e tij nënkupton mësimdhënie dhe hulumtime në sferën e shkencave kompjuterike, kurse universiteti ku punon renditet në mesin e 400 universiteteve më të mira në botë. Ai ligjëron lëndë në studimet deridiplomike dhe të magjistraturës. 
Puna hulumtuese e tij kryesisht është e përqendruar në fushën e eShëndetësisë (eHealth), me theks të posaçëm në atë se si Inteligjenca Artificiale mund të shfrytëzohet për të përmirësuar menaxhimin klinik të sëmundjeve neurodegjenerative si p.sh. sëmundjes së Parkinsonit. Një pjesë e hulumtimeve të Mevludinit përqëndrohet në matjen objektive të dhimbjes me ndihmën e teknologjive sensorike. Kjo punë shkencore bëhet me qëllim të përmirësimit së kualitetit të jetës së pacienteve me dhimbje kronike duke ua pershtatur dozën me opioide në mënyrë automatike. Me këtë u mundësohet pacientave të zvoglojnë dhimbjet por edhe ti minimizojn shanset për të krijuar varësi ndaj opioideve.
Arjeton Uzairi, Mevludin Memedi dhe Luan Ibraimi gjate ceremonis se diplomimit. Qershor 2006, Tetove.
Pasi i përfundon studimet deridiplomike në Universitetin e Evropës Juglindore, ai vendos t’i vazhdojë studimet e magjistraturës në Universitetin Dalarna në Suedi. Ai thotë se nëse dëshiron t’i zgjerosh dijet asgjë nuk është e pamundur. 
“Puna, përkushtimi dhe përgatitja ime profesionale, më ndihmuan shumë që të inkuadrohem dhe mbi të gjitha t’i përsosi dijet e fituara në Universitetin e Evropës Juglindore. Për shkak të dijeve dhe shkathtësive të fituara në UEJL dhe në studimet master në Dalarna unë kisha një fillim të mbarë në Universitetin Orebro. Fakti që shumica e lëndëve që unë i kisha në UEJL ligjëroheshin në gjuhën angleze, më kanë ndihmuar shumë në vazhdimin e studimeve të magjistraturës në Universitetin Dalarna. Për më tepër, në UEJL kam pasur lëndë që kishin të bënin me programim dhe bazat e të dhënave dhe ato ishin një ndihmë e jashtëzakonshme në përvetësimin e lëndëve që kërkonin shkathtësi të tilla.”, thotë Memedi. 
Mevludin Memedi, thotë se në UEJL ka fituar dije dhe shkathtësi solide në Shkencat Kompjuterike edhe pse në atë kohë kishte pak lëndë që ishin te lidhura me hulumtime shkencore. I përgatitur dhe i realizuar në profesionin e tij, ish-studenti i UEJL-it, Mevludin Memedi, tani në një distancë kohore, por edhe nga përvoja e kaluar është në gjendje me profesionalizëm të bëjë krahasim mes të studiuarit në UEJL dhe në universitetet suedeze, në veçanti në Universitetin Orebro. 
Ceremonia e doktoraturës. Shkurt 2015, Örebro, Suedi.
“Mjedisi arsimor në UEJL është pak a shumë i njëjtë me atë të Universitetit Orebro. Përmbajtja dhe metodologjia e mësimdhënies janë pak a shumë të ngjashme. Në Univerzitetin Orebro studentët kanë mundësi të kalojnë të paktën një semestër jashtë vendit, pasi që universiteti ka marrëveshje me universitete në të gjithë botën. Pra, ngjashëm siç është edhe në UEJL”, shprehet Memedi.  
Ashtu si UEJL edhe universiteti ku punon Mevludin Memedi ka për qëllim jo vetëm të kontribuojë në edukimin e brezave të rinj, por gjithashtu të jetë në ballë të hulumtimeve shkencore dhe me këtë të ndihmojë shoqërinë në adresimin e sfidave të saj. 
Përvoja e Mevludinit është shembull se si me punë dhe përzgjedhje të mirë mund të arrihet në një karrierë të suksesshme. Porosia e tij për studentët aktual të UEJL-së është që të caktojnë qëllimet dhe të punojnë fuqishëm për arritjen e atyre qëllimeve.  Aktualisht bota ka nevojë për dije dhe kompetenca që do të munden të përballojnë sfidat e së ardhmes. Pritjet janë që gjeneratat e ardhshme të jenë prijëse në dije dhe shkathtësi, që të mund t’i përballojmë këto sfida.