Gjithçka fillon nga komunikimi…

Komunikimi është gjithçka. Me të fillon dhe mbaron çdo gjë. Komunikimi është proces, diçka që rrjedh në vazhdimësi dhe është jetik për zgjidhjen e çdo problemi.
Përmes komunikimit në përditshmërinë tonë, ne arrijmë që të përcjellim mesazhet tona dhe të depërtojmë tek te tjerët. Mënyra se si thuhet apo si komunikohet në masë është shumë e rëndësishme. Nga kjo varet shumë ajo që themi apo ajo se çfarë ndikimi do të ketë një dukuri e caktuar. Komunikimi ndërnjerëzor është si një dritare përmes së cilës depërtojnë rrezet e diellit në një ambient dhome, duke i dhënë shkëlqim gjithçkaje të ndodhur aty. Thënë thjeshtë, komunikimi është dritare suksesi, në cilindo rrafsh qoftë të nevojës njerëzore. Dhe, kur jemi këtu, lirisht mund të themi se lidershipi është i paracaktuar nga komunikimi. Shkathtësitë e komunikimit dhe udhëheqja shkojnë paralelisht.
Në shtrirje të përgjithshme, lidershipi duhet të kuptohet si një lloj arti në vetvete. Kjo nuk është aq e thjeshtë, por përkundrazi kërkon të jesh shumë i përkushtuar, të veprosh me kujdes, të posedosh shumë cilësi të vyeshme. Që të arrish t’i bindësh të tjerët që të të ndjekin pas në arritjen e qëllimeve të organizatës, është punë e mundimshme. Pra, në pak fjalë, lidershipi është një proces në të cilin një individ arrin që përmes bindjeve të veta të realizojë një qëllim të caktuar. Kjo ndodhë, duke i bërë të tjerët që të të ndjekin në çdo hap. Ndërtimi dhe karizma e një lideri nuk gjendet te çdokush. Por, ai që i posedon këto cilësi, është i prirur që ta çojë organizatën drejt suksesit.
Thuhet se për të qenë një lider i suksesshëm duhet të kesh lindur i tillë. Një lider është një autoritet i rëndësishëm që përafron dhe përbashkon shumë të tjerë brenda një ombrelle. Skuadra që ndjek liderin e vet ka shumë besim në të dhe çdo vështirësi që paraqitet e zgjidhin më me lehtësi. Disa studime kanë treguar se kompanitë që kanë qenë në gjendje të përshtatin komunikimin me ata me të cilët komunikojnë, i kanë zgjidhur problemet më shpejtë dhe kanë arritur rezultate më të mira dhe në një atmosferë pozitive brenda vetë kompanisë. Një nga karakteristikat që e nxjerr në pah liderin e duhur, është komunikimi. Pra, edhe këtu, si në çdo gjë duhet patur parasysh rëndësinë që ka komunikimi. Komunikimi është baza e gjithçkaje. Lideri i mirë përmes komunikimit përcjell atë çfarë dëshiron. Komunikimi duhet të jetë i qartë, i saktë dhe i kuptueshëm për të gjithë.
Lideri i aftë dhe me vizion i përfshin të gjithë anëtarët e ekipit si të barabartë në komunikim dhe ai nuk qëndron mbi askënd dhe nuk ngrihet askënd. Ai duke krijuar një ekuilibër në marrëdhëniet me të tjerët, arrin të bëhet një udhëheqës i mirë dhe i pranueshëm tek ndjekësit e tij. Lideri i tillë është largpamës, i besueshëm, me vizion dhe ka energjinë e duhur pozitive për t’i bërë të tjerët që të kontribuojnë në arritjen e qëllimeve të organizatës.

Çeltina Ademi,
absolventë në drejtimin e Komunikimit ndërkombëtar