Rinita Asani, Alumni i UEJL-it që po shkëlqen në kompaninë ndërkombëtare SAP në Gjermani

Sa të ka ndihmuar të studiuarit në UEJL gjatë angazhimit tuaj në SAP?
“Nuk mundesh t’i bashkosh pikat nëse shikon para, por vetën nëse shikon pas” thoshte Steve Jobs, bashkëthemeluesi i Apple. Pasi që kisha mbaruar shkollën e mesme, duhej të marr një vendim shumë të rëndësishëm që do të përcaktonte rrugëtimin e edukimit tim, çfarë të studioj dhe ku të studioj. Atë kohë programi Informatika e Biznesit në UEJL ishte një program i ri, i cili zhvillohej në gjuhën angleze. Me la përshtypje si një program premtues, përparimtar dhe inovativ, andaj e zgjodha pikërisht atë. Sot jam e punësuar në SAP një kompani softuerike internacionale që numëron 100,000 të punësuar me kryeqendër në Walldorf, Gjermani. SAP zhvillon softuer për të menaxhuar bizneset dhe lidhjet me klientët dhe në qendër të SAP qëndron pikërisht Informatika e Biznesit. Tani kur shikojë në retrospektivë jam shumë e kënaqur me mundësinë që mu ofrua të studioj në UEJL dhe programin që zgjodha. Informatika e Biznesit në UEJL ishte bileta që më mundësoi të studioj në Universitetin e Mannheim-it dhe kjo e fundit ishte po bileta që më mundësoi të punoj në SAP.

A mund të bëni krahasime dhe t’i tregoni përparësitë dhe mangësitë e mënyrës së studiuarit atje dhe këtu në UEJL?
Të bësh një krahasim mes UEJL-it dhe “Uni Mannheim” nuk është edhe aq e lehtë pasi po flasim për dy universitete që dallojnë si nga jetëgjatësia e ekzistencës, po ashtu edhe numri i studentëve. Ajo që më ka lë përshtypje në “Uni Mannheim” kanë qenë bibliotekat që ishim të stërmbushura më studentë, bile në kohën e provimeve ishte goxha e vështire të gjeje vend të lirë për të studiuar. Një atmosferë studimi e këtillë ishte shtytëse e madhe dhe motivim. Temat për të cilat profesorët ligjëronin ishin të përditësuara dhe po ashtu mjaftë aktuale në industrinë. Kjo vinte si rezultat i hulumtimit të mirëfilltë por edhe kooperimit të universiteti me kompanitë në industri, një nga ato ishte edhe SAP.
Sipas perspektivës time, UEJL është mjaft i përparuar sa u përket platformave për menaxhim të të mësuarit: myseeu.edu.mk si dhe platforma ‘Libri’ (që e përdornim në atë kohë), janë mjaft praktike dhe kanë ofruar qasje efikase për materiale dhe informacione të nevojshme për studentët.

Sa ju ka pajisur me dije të nevojshme UEJL-ja që pastaj u kanë shërbyer në karrierë?
UEJL, veçanërisht programi Informatika e Biznesit, i cili zhvillohet në gjuhën angleze më ka bërë të aftë që të mundem pa problem të komunikoj në gjuhën angleze me terminologjinë përkatëse. Një pikë tjetër të fortë që do ta veçoja janë aftësitë për prezantim, që ndoshta edhe mund t’i marrim si të mirëqena, por që janë mjaft të nevojshme, siç thuhet sa është e rëndësishme çfarë themi, aq është e rëndësishme dhe mënyra se si e themi. Team spirit, apo puna në grupe që shpesh e hasim si një ndër aftësitë që kërkohet nga kandidatët që aplikojnë si në SAP po ashtu edhe kompanitë e tjera. Kjo aftësi është e domosdoshme në mjediset e sotme të punës dhe programi përfshinte shumë projekte të cilat duhej të zhvillohen në grupe dhe kjo më ka mësuar se si të bashkëpunoj, komunikoj me të tjerët për të kryer një punë të përbashkët.

Cili është imazhi ndërkombëtar i UEJL-së dhe ALUMNI-t të tij në institucionin ku punoni, por edhe gjatë kontakteve tjera që keni patur në institucione tjera?
Në universitetin e Mannheim-it ku kam studiuar, kemi qenë tre shoqe që kemi ardhur nga UEJL, ndërsa aq sa jam e informuar në SAP për momentin jemi vetëm katër Alumni. Për fat të keq nuk është edhe aq i njohur UEJL në institucionet që kam punuar, por megjithatë sikur të ekzistonte një bashkëpunim mes UJEL dhe Uni Mannheim për të ofruar semestër exchange do të ndihmonte në ngritjen e imazhit te UEJL-ës në nivel ndërkombëtar. Megjithatë çdo gjë ka një fillim, nëse jemi sot katër, në të ardhmen mund të jemi më shumë .Unë dhe shoqet e mia jemi si rrugërrëfyes për secili që do të ndjek këtë rrugë ose të tjera të ngjashme. Kushdo që dëshiron të studiojë në Uni Mannheim ose ka aspirata për të punuar në SAP, lirisht mund të më kontaktoni për këshilla dhe udhëzim.

Çfarë do t’iu kishit rekomanduar studentëve aktual, por edhe ALUMNI-t të UEJL-së?
Studentëve aktual u kisha rekomanduar që të shfrytëzojnë çfarëdo lloj mundësie në UEJL për tu zhvilluar dhe për të dal nga zona e komfortit. I kisha inkurajuar studentët për të marrë iniciativa nga më të ndryshmet, organizime të hackathoneve, paneleve të diskutimeve, debateve si dhe të krijohen grupe ku mund të diskutohen tema të informatikës nga më të fundit. Diskutimet e këtilla ndihmojnë shumë që të mësojmë nga njëri tjetri. Një pikë tjetër do të ishte të mundoheni të bëni sa më shumë internshipe/punë praktike sepse kjo do tu jep mundësi të eksploroni aspektin praktik të profesionit tuaj. Duke u bazuar në proporcionin e artë të të mësuarit 10% mësojmë nga edukimi formal, 20% nga të tjerët dhe 70 % mësojmë nga praktika. Në tregun e punës në Gjermani punët praktike janë një domosdoshmëri të cilat vlerësohen mjaft nga punëdhënësit.
Programet e këmbimit për një semestër janë një mundësi shumë e mirë për të krijuar eksperienca të reja, për të njoftuar kultura të reja dhe për të sfiduar veten. Rekomandim maksimal për të shfrytëzuar mundësi të këtilla. Së fundmi mos e kufizoni veten vetëm me literaturën që e kërkojnë profesorët, bëhuni proaktiv, hulumtoni shumë kurse tjera online.