Studentët e UEJL-së që po ndryshojnë sistemin e transportit të udhëtarëve në Maqedoninë e Veriut

Irfan Abazi, Valdrin Muharemi dhe  Ardian Luma janë tre ish-studentë të Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore të Universitetit të Evropës Juglindore, të cilët janë bashkuar që të krijojnë një aplikacion që do tu mundësojë qytetarëve të kenë më shumë informacione për transportin urban dhe ndërurban dhe për kompanitë që e realizojnë këtë transport . NotOnlyTaxi, quhet aplikacioni, i cili ka filluar të funksionoj nga 1 gushti i këtij viti dhe tashmë mund ta shkarkoni në sistemin android e atë IOS, si dhe është i qasshëm në qytetet Tetovë, Shkup dhe Gostivar.

“Ideja filloi atëherë kur ishim studentë dhe që të udhëtonim nga Universiteti e deri në qendër të qytetit apo lokacione të tjera e kishim shumë vështirë të gjenim taksi, minibus ose autobus për të udhëtuar, pasi kishim shumë pak, ose aspak informacione se cili është itinerari i udhëtimeve dhe cilët kompani e kryejnë transportin e udhëtarëve”, thotë Irfan Abazi.

 “E kemi patur shumë vështirë të grumbullojmë informacione lidhur me oraret e autobusëve, për kompanitë e taksive dhe informacione të tjera publike pasi ato nuk janë të qasshme dhe kompanitë në fillim nguronin t’i shpërndajnë ato”, thotë Valdrin Muharemi.

Kështu, duke grumbulluar informacione dhe duke u përsosur në profesionin e ardhshëm më vonë ne vendosëm të krijojmë një aplikacion që do të gjejë zgjidhje konkrete për këtë problem, me të cilin çdo ditë përballen qytetarët e disa qyteteve në Maqedoni.

NoOnlyTaxi ishte fryt i bashkëpunimit të të tre studentëve të lartpërmendur, të cilët jo vetëm që bashkëpunojnë, por janë edhe shokë të studimeve dhe tani partnerë në krijimin e aplikacioneve dhe produkteve të tjera të programimit.

Disiplina në Universitetit, rregullshmëria dhe saktësia që e kishim gjatë studimeve në universitet na ka bërë të jemi të tillë edhe në jetën e përditshme dhe ka ndikuar që të jemi gjithmonë kërkues të përsosmërisë dhe gjetjes së zgjidhjeve për probleme konkrete.

Aplikacioni ofrohet në tre gjuhë, edhe atë: në shqip, maqedonisht dhe anglisht. Ai është falas për të gjithë të interesuarit, por do të jetë me pagesë për kompanitë, që do të dëshirojnë ta përdorin këtë aplikacion për të rritur biznesin e tyre. Aktualisht janë rreth 700 përdorues të këtij aplikacioni dhe ka tendencë rritjeje.

Tre programuesit thonë se kanë plane të shumta që aplikacionin ta bëjnë më të përditësuar dhe se tashme e kanë të gatshëm edhe pjesën ku në kohë reale mund të shihet lokacioni i mjetit konkret për udhëtim.

“Qëllimi ynë është ta masivizojmë përdorimin e NotOnlyTaxi, të jetë i qasshëm jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë në rajon. Tu mundësoj menaxhim më efikas mes udhëtarëve dhe kompanive për realizimin e udhëtimit dhe grumbullimin e sa më shumë informacioneve që do ta bëjnë[ edhe më shumë funksional dhe më të përshtatshëm për udhëtarët dhe kompanitë e udhëtimit.”, thonë tre studentët inovatorë.

Të tre ish-studentët e UEJL-së, aktualisht punojnë në një kompani private që operojnë në kuadër të kampusit të Universitetit, por aplikacionin NotOnlyTaxi e kanë zhvilluar në mënyrë të pavarur dhe e kanë mbrojtur nga kopjimi dhe përdorimi i paautorizuar.