Nuhi Besimi – Dijet e fituara çelësi i suksesit tim në tregun global

Nuhi Besimi në vitin 2013, i përfundoi studimet deridiplomike në Universitetin e Evropës Juglindore. Si shumica e studentëve të këtij universiteti, synim kryesor e kishte zbatimin e njohurive, duke bërë hapa konkret në ushtrimin e profesionit të tij në fushën e Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit. Ai në vitin 2015, së bashku me një partner tjetër krijojnë kompaninë e tyre private në fushën e  inxhinierisë softuerike “AdaptiveScale”. Sot, kjo kompani ka gjithsejtë 9 të punësuar dhe zhvillon produkte TI për shumë kompani të njohura ndërkombëtare, kryesisht në SHBA.

“Në kushte kur papunësia ishte problem në Maqedoni, por edhe më gjerë në Ballkan, nuk doja të ri në shtëpi dhe të kërkoj punë duke ndjekur konkurset. Në Universitet na kanë mësuar se duhet të jemi aktiv, se duhet ta dëshmojmë veten dhe se në tregun global gjithçka është e mundur. “, thotë Besimi.

Menjëherë pas përfundimit të studimeve deridiplomike, Besimi fiton një bursë për vazhdimin e studimeve Master në Universitetin  e Debrecen-it në  Hungari në fushën e TI-së. Pas përfundimit të studimeve vazhdon kontaktin me profesorët e tij nga UEJL-ja, të cilët i rekomandojnë që njohuritë e tij ti zbatoj në praktik, duke hapur kompani private.

“Në vitin 2013 u hap Parku Teknologjik i Universitetit të Evropës Juglindore, i cili ishte një mundësi shumë e vlefshme për studentët, Alumnit, por edhe për të gjithë të tjerët, që kanë një ide dhe të njëjtën dëshirojnë ta bëjnë realitet.

Profesorët e mi nga SEEU më gjetën lidhjet dhe më rekomanduan tek një sipërmarrës nga ShBA, që si rezultat u hap kompania AdaptiveScale ne Parkun Teknologjik. Kjo kompani vazhdon të ritet dhe të shtrihen duke bashkëpunuar me kompani më të njohura të TI-së në botë”, shprehet Besimi.

Megjithatë, edhe pse sot sipërmarrës i suksesshëm, Besimi  thotë se dijet, shkathtësitë e tij, që i ka fituar në UEJL, si dhe mjedisi, qasja në mësimdhënie dhe komunikimi i afërt me profesorët i kanë ndihmuar që të jetë i suksesshëm dhe të jetë i dallueshëm në çdo mjedis. Ai po ashtu, është angazhuar në mësimdhënie në Universitet, si demonstrator në lëndët Programim dhe Inxhinieri Softuerike.

Aktualisht janë 26 start up kompani, që funksionojnë në kuadër të Parkut Teknologjik të Universitetit të Evropës Juglindore dhe që kryesisht janë të themeluara, ose bashkëthemeluara nga të diplomuarit e këtij Universiteti. Parku Teknologjik gjithashtu në forma të ndryshme përkrah edhe 26 firma të ndryshme në tërë territorin e vendit.

Në përgjithësi, këto kompani punojnë për tregun e jashtëm, ku kanë të angazhuar gjithsej 116 punëtorë. Prej tyre 75-80% janë kuadër i diplomuar i Universitetit të Evropës Juglindore.

Sistemi i punës së kompanive është i lidhur me sistemin ndërkombëtar të funksionimit dhe rroga mesatare që të punësuarit marrin është shumë më e lartë se mesatarja në Maqedoni.

Rast unik është edhe angazhimi i studentëve aktual në këto kompani, të cilët e bëjnë intershipin(praktikën), ku shumicës prej tyre u paguhet edhe angazhimi. Disa prej tyre kanë arritur edhe marrëveshje konkrete që të angazhohen si të punësuar të rregullt, pasi t’i kryejnë studimet.

Qendra e Karrierës e Universitetit të Evropës Juglindore, e cila analizon trendët e punësimit të të diplomuarve, ka publikuar rezultate shumë pozitive për kërkesat e tregut ndaj të diplomuarve të UEJL-së. Sipas të dhënave të kësaj qendre, 61% e të diplomuarve, arrijnë të punësohen që në vitin e parë pasi pajisen me diplomë. Ky trend ka vite që shënon rritje, kurse këtë vit për herë të parë sektori që më së shumti punëson studentët e UEJL-së është ai privat. Një përqindje e konsiderueshme janë të punësuar edhe në sektorin publik, kryesisht në organet administrative dhe institucionet publike.