Diskriminimi në marrëdhënie të punës

Diskriminimi është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen njerëzit në vendin e punës. Ai, është definuar si trajtim paragjykues i një personi të bazuar në grupin, ose në kategorinë ku ai i përket.
Me diskriminimin në punë, hasemi atëherë kur punëdhënësi bënë dallime, apo përjashtime tek punëtorët e tij, apo kandidatët, të cilët konkurrojnë për vende pune. Ka forma të ndryshme të diskriminimit që paraqiten shumë shpesh në vendin e punës, disa prej tyre janë kryesisht për shkak të racës, ngjyrës, gjinisë, religjionit, opinionit publik, prejardhjes kombëtare, ose sociale, bindjes politike, fetare, apo baza tjera të përcaktuara me normat juridike të një shteti, p.sh: mosha, statusi i qytetarit, invaliditeti, ose përcaktimi seksual, të cilët do të kishin përjashtuar, ose zvogëluar mundësinë për trajtim të barabartë gjatë punësimit.
Nga kjo që përmendëm më lartë, rrjedh pyetja: Si ndikon diskriminimi në personalitetin e individit, i cili bëhet viktimë i këtij fenomeni?
Diskriminimi mund të ndikojë në jetën e viktimës, por edhe në personalitetin e tij në disa forma të ndryshme, si: vetëbesim të ulët, ndjenja vetëvrasëse, dhunë, depresion, drogë dhe alkool. Mund të ndalojë dikë nga ndjekja e karrierës, sepse ata kanë mungesë vetëbesimi, që i detyrojnë ata të mos aplikojnë për punë të caktuara si rezultat i ideve stereotipike. Kur dikush është i diskriminuar ndaj gjinisë, racës, ose fesë së tyre, dyshon tek aftësitë dhe potencialet e tyre dhe ndikojnë në shëndetin e tyre emocional. Diskriminimi na shpjerë në një shoqëri pa respekt dhe dinjitet. Një shoqëri, ku nuk ka vend të sigurt dhe ngushëllues. Diskriminimi është rreth nesh çdo ditë. Ai ka një ndikim të madh në shoqërinë e sotme duke shkaktuar konflikt dhe kaos.
Si formë parandaluese të diskriminimit kemi edukimin e shoqërisë, që të ndërpriten dallimet ndaj njëri-tjetrit dhe të pranojmë faktin se jemi të gjithë të barabartë si qenie njerëzore. Duhet dinjiteti, guximi dhe mbështetja e viktimave, për të mposhtur diskriminimin.
Sa i përket diskriminimit, ai është virus i cili ka prekur gati çdo individ. Ai haset në të gjitha vendet e botës dhe lufta për ta ndaluar këtë fenomen ka ekzistuar që në kohët më të hershme dhe vazhdon edhe në ditët e sotshme. Sot, pothuajse ka filluar që të zbutet paksa, pasi diskriminimi sot rregullohet me anë të ligjeve të veçanta që rregullojnë materie nga lëmia për marrëdhënie pune. Në vendin tonë kemi ligjin që merret me këtë problematik shoqërore, që emërtohet si “Ligji për marrëdhënie të punës”, por gjithashtu kemi dhe shumë konventa dhe deklarata të tjera, të cilat rregullojnë me disa nene materie nga lëmia e marrëdhënieve të punës. Shteti jonë i ka nënshkruar dhe ratifikuar këto konventa si për shembull kemi : Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut ; Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Ndaj Grave ; Konventa për të Drejtat e Fëmijëve ; Karta Sociale Evropiane ; Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut ; Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore. Por, edhe pse marrëdhëniet e punës rregullohen mjaftë bukur ku eliminohet çdo lloj diskriminimi, ky fenomen vazhdon së ekzistuari sot e kësaj dite. Por, rrjedh pyetja se sa gjejnë zbatim në praktik këto ligje ?!
Sipas mendimit tim , edhe pse ligjet janë të gërshetuara në mënyrë shumë paqësore, ato nuk zbatohen në mënyrë të drejt tek individët. Shumë pak raste të gjykuara kanë arritur me një përfundim pozitiv në favor të të diskriminuarve.
Le të flasim për disa lloje të diskriminimit, të cilat kanë cekur një numër më të madh të popullatës. Ballafaqimi me diskriminimin e akomodimit fetar, apo religjionit. Punëtori ka të drejtë t’i kërkojë shefit të tij leje për të akomoduar besimin e tij fetar. Për shembull, nëse punonjësi po praktikon fenë myslimane dhe ai duhet të lutet në zona të caktuara në kohë të caktuara, ai duhet të sigurohet që kur ai të praktikojë besimin e tij të përditshëm fetar se nuk ndikon tek të punësuarit e tjerë dhe në punën që kryen. Po ashtu, tek diskriminimi fetar kemi edhe rastet kur diskriminohen gratë myslimane për shkak të mbulesës së tyre.
Diskriminim tjetër kemi edhe tek gjinia, shpesh gjinia bëhet problematike tek disa lloje të profesioneve, ku kërkohet që të ushtrohet vetëm nga femrat apo vetëm nga gjinia mashkullore. Ky është një diskriminim serioz, pasi nuk mund të përjashtohemi nga një profesion vetëm për shkak të gjinisë.
Kemi edhe diskriminimin pozitiv tek gratë shtatzënë , të cilave ju jepet pushimi i lindjes për një kohë më të gjatë se babait të fëmijës. Kemi diskriminimin tjetër të gjinisë që ka të bëjë me pagesën e pagave, ose përfitimeve; ndodh që një burrë dhe një grua mund të kryejë të njëjtën punë dhe punëdhënësi bën lëshime, duke paguar njërën gjini me pagë më të lart se tjetrën për të njëjtën punë që kryejnë.
Mosha tek punëtorët paraqitet si një diskriminim shumë i gjerë. Mosha konsiderohet si një kualifikim profesional. Shumë punëdhënës mund të mendojnë se të moshuarit nuk janë aq të dobishëm sa brezi i ri dhe që sjellin tek punëdhënësit zvogëlim të përfitimeve. Edhe këtu kemi diskriminimin pozitiv ku p.sh në stinën e verës kur temperaturat janë shumë të larta tu lejohet personave që janë në moshë të thyer, të punojnë me një orar të shkurtuar.
Bindja politike, po ashtu është një nga format e diskriminimit në punë. Ky lloj diskriminimi posaçërisht është shumë i përhapur në vendin tonë. Diskriminim të madh kemi edhe tek konkurset e punësimit, ku nëse ke një bindje politike të njëjtë me atë të punëdhënësit kë shanse shumë më të mëdha për ta fituar atë konkurs. Kjo më shumë është e përhapur tek sektorët publik sesa tek ato privat. Kemi raste kur nëse punëdhënësi i ri apo drejtorët e ndryshëm mbështetin një parti politike të caktuar, t’i largojnë nga puna punëtorët të citët kane bindje të kundërt politike.
Një tjetër formë e diskriminimit tek ne që ka cekur një numër të madhe të popullatës është ajo e kombësisë apo origjinës kombëtare. Pakicat gjithmonë janë shkelur dhe janë diskriminuar prej kohësh. Nëse i takon një pakice ke shumë pak shanse për tu kyçur në marrëdhënie pune si në sektorët publike edhe në ato private. Ky është një problem tejet shqetësues.
Të gjitha llojet e diskriminimeve janë shumë të përhapura veçanërisht në vendin tonë. Ne si shoqëri duhet qe të vetëdijesohemi që t’i ndalojmë paragjykimet dhe të shohim një person sipas intelektualitetit që ai posedon dhe jo sipas bindjeve të tija personale, apo sipas personaliteti, apo racës së tij. Shpresojmë që në të ardhmen ligjet të zbatohen në mënyrë sa më korrekte dhe numri i viktimave të zbutet dhe të zvogëlohet.

Kaltrina Aliu
Studente e Fakultetit Juridik-viti i tretë