Mbi zgjedhjet dhe shoqërinë

Maqedonia e Veriut gjendet para një procesi madhor, prandaj është e nevojshme që opinioni publik dhe në veçanti të rinjtë, që e mendojnë të ardhmen e tyre këtu, ta dinë se është shumë e rëndësishme se cilat do të jenë parametrat, më të cilat do të udhëhiqen kur do të votojnë për cilëndo figurë, që do të bart funksion të rëndësishëm politik.

Vendosja e një figure të duhur në bartjen e përgjegjësive shoqërore është akti me i vështirë dhe njëkohësisht edhe më i përgjegjshmi, që ata duhet të ndërmarrin gjatë një procesi të caktuar politik.

Pajtohem plotësisht me thënien filozofike “Në vend që t'u japin politikanëve çelësat e qyteteve, do të ishte më mirë të ndryshojmë bravat”. Kjo thënie shumë mirë mund të sinkronizohej me filozofin francez Monteskje (Montesque), i cili thotë: ”Çdo kush që ka pushtetin mund të abuzojë me të”. Pra, ai mund të arrijë atje nëse nuk gjen kufizime. Për të mos mundur që të abuzohet me pushtetin nevojitet pushteti që ndalon pushtetin. Mënyra e vetme për të ndaluar pushtetin, që të mos abuzojë është të mos zgjedhim atë si imazhin tonë përfaqësues.

Gjatë shtjellimit të temës, paraprakisht duhet të dimë se në bazë të cilave elemente ta zgjedhim një figurë politike, bartëse të një funksione të caktuar, se do t’i respektoj të gjithë qytetarët pa dallime mbi bazë etnike, racore dhe gjinore.

Rruga e gjatë maratonike, që e ndërton fitoren e madhe drejtë bashkimit në shoqërinë evropiane demokratike, do të ishte një lidership politik i kultivuar që mbarte vlera në Maqedoninë e Veriut.

Bazuar në presidentin e fundit lidershipi politik pati një çorientim të rrezikshëm antikushtetues që rrezikonte të ardhmen e Maqedonisë duke mos i dhënë mandatin e formimit të qeverisë  një shumice legjitime, duke reaguar ashpër dhe me gjuhë urrejtjeje për të mos dekretuar ligjin mbi zyrtarizmin e gjuhës shqipe i cili rregullon marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve ,në këtë mënyrë duke mos njohur vlerat pluraliste kulturore dhe duke rrezuar interesin e qytetarëve.

Mirëpo lind pyetja se çfarë modeli presidencial i nevojitet Maqedonisë së Veriut në këtë moment të vështirë politik që përcakton një të ardhme të shoqërisë sonë? Duke e konceptualizuar një president ideal për shoqërinë gjithëpërfshirëse në Maqedoni në bazë të atyre shoqërive që njeh historia dhe politika ndërkombëtare, si dhe në bazë të përvojave në trashëgiminë mijëravjeçare të qytetërimeve dhe ideve filozofike mbi organizimin dhe funksionimin e shoqërisë, një president duhet të jetë gjithëperfshires në aspekt të dijes ,ideve dhe vlerave që ai përfaqëson.

Presidenti ideal që duam të na përfaqësojë në familjen evropiane, duhet të zotojë aftësi drejtuese në bazë të funksionit zyrtar, duke anashkaluar interesat partiake, që janë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjin, si dhe duhet të posedojë autoritet profesional dhe intelektual. Përzgjedhja jonë e një modeli të duhur presidencial duhet të bëhet mbi parime evropiane. Presidenti ideal duhet të njeh drejtësinë, qytetarinë, solidaritetin, të drejtat e grupeve etnike dhe barazinë ndërmjet qytetarëve sepse kjo është një alternativë e vetme dhe rruga e vetme që shpie drejtë një shoqërie kohezive dhe të barabartë, që përkufizon mirëqenien brenda shtetit dhe garanton integrim dhe glorifikim të këtyre vlerave në instancë ndërkombëtare.

Albrie Xhemaili,
studente në drejtimin Komunikim Ndërkombëtar dhe e angazhuar në shumë projekte ndërkombëtare