Evisa Kica dhe Luan Ibraimi studentët që përveç martesës i lidhë edhe UEJL-ja

Evisa Kica Ibraimi dhe Luan Ibraimi janë ish studentë të UEJL-së, të cilët bëjnë pjesë në top  studentët, që kanë diplomuar në këtë universitet. Por, rruga e arsimimit të tyre nuk ndalon këtu . Ashtu siç shprehen edhe ata  “UEJL për ne ishte ura lidhëse drejt suksesit, por ne nuk u ndalëm aty, punuam vazhdimisht për të gjetur rrugët e përshtatshme që t’ju futemi studimeve të masterit dhe doktoraturës”. Aktualisht, Evisa dhe Luani janë të martuar dhe jetojnë në Holandë.  Evisa, ka përfunduar studimet në UEJL, në Fakultetin e Administrimit Publik dhe Shkencave Politike në drejtimin Administratë Publike, me notë mesatare ( 9.94 prej 10). Masterin e ka kryer në po të njëjtin drejtim, por në Appalachian State University, USA (nota mesatare 3.94 prej 4), kurse Doktoratën në  Universitetin e Twentes, Holandë, me temë  “The legitimacy of transnational private governance arrangements related to Nanotechnologies: The Case of International Organization for Standardization”. Ajo, aktualisht punon në Qendrën Kërkimore të Utrehtit.

Ndërkaq edhe Luani është bachelor në Shkencat Kompjuterike në UEJL  (nota mesatare 9.91 prej 10 ). Masterin e ka kryer në drejtimin Siguria Informatike, në Universitetin e KTH-së në Suedi (nota mesatare 5 prej 5). Ka doktoruar në Universitetin e Twentes, Holandë me temë ” Criptographically Enforced Distributed Data Access Control”. Momentalisht, ai punon ne Dutch Royal Shell, në Holandë.

Evisa shprehet se gjithmonë i ka pëlqyer motoja e Kristofor Kolumbo-s “Askush nuk mund të kalojë me sukses oqeanin përderisa frikësohet të humb nga shikimi bregun”, që sipas saj është një moto që reflekton në atë se për të qenë i suksesshëm njeriu nuk duhet t’ju frikësohet vështirësive dhe sakrificave, por edhe guximit se me punë arrihen shumë gjëra. Ajo, gjithashtu thekson se ato të dy kanë besuar në punën që kanë bërë. “Është e rëndësishme të veprosh në kohën e duhur dhe të gjendesh në vendin e duhur”-shprehet Evisa .

Në një rikthim në kohë ajo kujton se me Luanin janë njohur që në shkollë të mesme, ose më saktësisht që në shkollë fillore, ku bashkërisht kanë marrë pjesë nëpër garat e PLUS-it në fushën e matematikës. Shoqëria e tyre që ka filluar që në bankat shkollore vazhdon të jetë po aq e bukur edhe sot.

Duke qenë se Evisa dhe Luani kanë qenë bashkë që në moshë të re, ato kanë qenë pranë njëri-tjetrit në çdo hap që kanë hedhur, qoftë në aspektin e jetës personale, apo në karrierë. Njëkohësisht kjo ka bërë që ata të mësojnë vazhdimisht nga njëri-tjetri. Sukseset e njëri –tjetrit ata i pranojnë me shumë kënaqësi, duke u ndier krenar për gjërat e bukura që po ju ndodhin.