70 vjetori i Ditës Ndërkombëtare të të drejtave të njeriut

10 dhjetori shënon 70 vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Në këtë 70 vjetor të saj, gjatë përpilimit të këtij shkrimi bëra një analizë retrospektive historike dhe aktuale dhe erdha në konstatim se të drejtat e njeriut gjatë viteve kanë evoluar dhe kanë marrë përmasa të mëdha në trajtimin e tyre. Në fillesat e saj, rëndësia që i kushtoi faktori ndërkombëtar kësaj kategorie kushtetuese dhe ndërkombëtare nuk ishte edhe aq e madhe, mirëpo me sensibilizimin e saj kjo çështje u ngrit në piedestal dhe arriti që të tërheq vëmendjes e botës në përpilimin dhe respektimin e tyre deri në njëfarë shkalle.

Rëndësia që kanë të drejtat e njeriut është shumë më e madhe nga sa mendojmë. A e keni imagjinuar të paktën ndonjëherë botën pa të drejtat e njeriut? Imagjinoni vetëm për një moment mbizotërimin e kaosit gjithandej, pamjet e tmerrshme të luftës, fytyra të trishtuara njerëzish, qytete të rrënuara e të shkatërruara në funksion të plotësimit të interesave dhe apetiteve të regjimeve të caktuara pa vrarë mendjen për të drejtën më natyrore, jetën e njeriut si dhe në periudha më të hershme gjatë sistemit skllavo-pronar që ka qenë prezente, skllavëria si dhe trajtimi i skllevërit si send i gjallë siç e ka përkufizuar Aristoteli. Në një realitet të tillë, në fazat e para të krijimeve të para të shoqërisë apo shteteve si dhe rregullave të para juridike të drejtat e njeriut do të dukeshin utopike, por sot ato janë realitet.

Fillesat e para të trajtimit më serioz të të drejtave të njeriut i gjejmë pas Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur përmasat e mëdha të pasojave të tmerrshme që e kaploi botën gjatë kësaj periudhe, u shtrua nevoja për intensifikimin dhe transferimin e kësaj kategorie faktorit ndërkombëtar për elaborim më serioz dhe në kodifikim të saj në drejtim të parandalimit si dhe ndalimit të krimeve kundërnjerëzore. Kostoja që e paguan vendet evropiane për shkeljen e këtyre të drejtave ishte e madhe, sidomos Gjermania pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Krijimi i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare në Nirnberg në vitin 1945 në përbërje të SHBA-së, Bashkimit Sovjetik, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës dha rezultatet e para në trajtimin e kësaj çështjeje. Në këtë spektakël botërorë, për herë të parë në bankën e të akuzuarve ishte ulur – shteti dhe të gjitha veprimet që dikur thuhej se ishin kryer gjatë luftës ose qenë zbatuar urdhrat u kualifikuan dhe u gjykuan si krime. Nga këtu, Gjykata Ushtarake Ndërkombëtare u bë ilaç si dhe pikënisje për ligjet të cilët me shpejtësi zhvilloheshin dhe mbronin personat nga gjenocidi, dhuna dhe veprime të tjera të dëmshme nga qeveritë e tyre. Nga Nirnbergu e deri më sot, kuptohet të drejtat e njeriut kanë evoluar sikur në thelbin e tyre ashtu edhe në procesin e tyre.

Si rezultat i zhvillimit të këtyre ngjarjeve me interes të madh botëror sot kemi edhe Deklaratën Universale për të drejtat e njeriut të miratuar dhe shpallur nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 217 A (III) të datës 10 dhjetor 1948.

Rëndësia që i kanë kushtuar të drejtave të njeriut juristët, politikanët si dhe filozofët përgjatë shekujve ka qenë e madhe, këtu vlen të përmendet Hugo Grotious, Spinoza, Leibniz, Montesquiue, Rousseau, ku nën ndikimin e shkollës së të drejtës natyrore, ata me të drejtë kanë vlerësuar se të drejtat e njeriut i trajtojnë si të drejta të përcaktuara me “ligj hyjnor” ose “ligj i Perëndisë”, i cili është i rrënjosur në zemrën e çdo njeriu dhe i cili obligon të bëjë krejt atë që i përgjigjet natyrës racionale të njeriut dhe të rezervohet nga ajo që e dëmton.

Nëse analizojmë edhe nenet e para të kësaj Deklarate që janë të rëndësisë së veçantë, e shohim se asgjë nuk ka të bëjë me risi dhe mesazhi që përçojnë ato janë në frymë liberale dhe demokratike. Pra, neni 1 i Deklaratës së të drejtave të njeriut tingëllon kështu: “Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në pikëpamje të dinjitetit dhe të të drejtave. Ata janë të pajisur me arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit në një frymë vëllazërore.”

Neni 2 i saj gjithashtu thotë: “Secilit i përkasin të gjitha të drejtat dhe liritë e shpallura në këtë Deklaratë pa kurrfarë dallimesh në pikëpamje të racës, ngjyrës, seksit, gjuhës, fesë, mendimit politik ose çdo mendim tjetër, të prejardhjes kombëtare a shoqërore, të pasurisë, të lindjes apo të ndonjë gjendje tjetër juridike…” si dhe neni 3 i saj: “Secili ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë siguri vetjake.”

Nuk përjashtohet, ndonjëherë në realitetin tonë të dhimbshëm këto deklarata marrin më tepër dimensione ideale se sa reale. Shembull në shtetin ku jetoj në Maqedoni, jo rrallë herë jemi ballafaquar me shkeljen e të drejtave të njeriut, me mohimin e të drejtave që juristët, politikanët apo filozofët e mëparshëm i kanë kualifikuar si të drejta natyrore që në atë kohë, e që kanë të bëjnë më tepër mbi njohjen e lirisë së mendimit dhe fjalës që e gjejmë në nenin 18 të po kësaj Deklarate. Shpesh këto të drejta nga pushteti shtetëror janë paraqitur si të rrezikshme për stabilitetin e shtetit, gjë që bie ndesh me mendimin e Spinozës se liria e mendimit dhe fjalës përkundrazi janë të mirëseardhura dhe të dobishme, sepse vetëm në atë mënyrë manifestohet liria që është edhe qëllimi i shtetit demokratik.

Në fund vlerësoj, se mangësia e Deklaratës së të drejtave të njeriut, mungesa e detyrueshmërisë juridike si dhe mosparashikimi i sanksionit dhe më tepër karakteri i saj moral sot në nivel global fatkeqësisht vazhdon shkelja e të drejtave të njeriut në mënyrë brutale nga regjime të ndryshme, shtypen pakicat etnike, racore ose fetare, praktikohet diskriminimi madje edhe veprimet e gjenocidit.

Pra, në këtë 70 vjetor të kësaj dite, uroj që edhe më tej bashkësia ndërkombëtare
t’i kushtoj vëmendje të posaçme kësaj kategorie kushtetuese dhe ndërkombëtare dhe të kontribuoj edhe më tej në trajtimin e kësaj çështjeje dhe në sensibilizimin e subjekteve ndërkombëtare, pra shteteve.

 

Emir Kurtishi