Bota e femrës

Nuk e di. Kam folur s’di sa herë po ja, fjalët e mija kanë rënë në humnerën atje ku pluhuri i ka bërë zi ashtu sikurse edhe shpirti i një mashkulli.

Ëndrra nga realiteti, mjaft larg për shumë gra shqiptare për të jetuar një jetë ideale të tyren. Dhuna. Në vendin tonë një plagë në historinë shqiptare.

Sidoqoftë, mos ma merr për dobësi këto që po shkruaj, apo që ne nuk jemi të afta për asgjë! Përkundrazi, unë pata gjithmonë dhe kam guxim të dal para çdo lloj ballafaqimi. E di që syri s’më përpëlit fare?! Po, po flas për femrat! Pikërisht për këtë qenie që Zoti e ngriti mbi të gjitha qeniet tjera, dhe kur Krijuesi i ka vlerësuar kaq shumë femrat kush është I krijuari mos me i respektuar ato?

E di se si më duket ndonjëherë?  Sikur po jetojmë në epokën e sandaleve, gjetheve si veshmbathje, por ndonjëherë edhe më keq, më bën të besoj se me të vërtetë kemi prejardhje nga majmunët.

Përbuzje, ofendime, sharje, dhunime e kërcënime të gjitha këta, nga meshkujt shqiptarë për një femër të brishtë. Pa mos cekur numër, se di sa e sa vite të drejtat e njeriut janë trajtuar si ‘’Ligje hyjnore’’ apo edhe si ‘’Ligje të Perëndisë’’. Dhe vërtetë kështu janë! E tash, ku i lamë vitet e demokracisë? Apo në vendin tonë as që kanë ekzistuar për këtë çështje?

Të krijuar me këmbë në tokë, më kokë në ajër, kockë e mish të gjithë njëjtë, paqe dhe liri njëjtë për të dy ne. Po, po, e kam me ty mashkull i dashur, natyra nuk na dallon për nga raca, ngjyra, kombi, pasuria, feja, po edhe ta dish ti as edhe për nga gjinia.

Se jeni mësuar dhe rritur në frymën patriarkale, atje ku zëri juaj dëgjohet më shumë se një fëmije, atje ku ju bëni të derdhet lot e të ngritni dorë mbi një qenie të pafajshme, vetëm e vetëm se kështu ju pëlqen ju dhe se kështu shihni ‘’burrërinë’’ tuaj.

Se di se si është e mundur dhe as që mund ta imagjinoj një realitet kaq të hidhur; se si vajzës i caktohet fati i saj që në moshë të vogël, se si babai jep fjalën për të bijën që në një moshë të caktuar me duart e veta ta dorëzoj në një familje që ajo as që ia ka idenë se kush janë.

O Zott, sa më vjen mëri nga kjo botë! Më vjen keq për këtë Tokë se çka mban. Si nuk ju dridhet zëri e të flasin pa pik turpi para mijërave shqiptarëve duke pohuar që në rast se vajza kryen vepër turpi, ngrihet ‘’burri’’ dheut se do ta vriste, masakronte me ç’të dilte përpara. Po, më kuptuat mirë, babai për vajzën e tij që dikur i lutej Zotit për të. Kjo është mësimi që po ushqehet ende në popullin tonë, zëra të këtilla shpresoj që të shteren njëherë e përgjithmonë.

Më dhembin sytë kur shoh femra, të detyruara nga gjendja që janë të dalin e të flasin para ekraneve televizive, më dhëmbin veshët kur dëgjoj historitë e tyre. Ajo femër, që rriti fëmijë, që ishte në mes dhimbjesh e vuajtjesh, pikërisht kjo nënë të ndjej përbuzjen dhe dhimbjen nga babai i fëmijëve të saj.

Kur bota mësonte, përparonte e ndeshej me libra e shkolla, femra në vendin tonë e kishte të ndaluar të shkollohej, ajo e kishte të ndaluar të mësonte vetëm sepse ishte një femër. Detyra e saj e vetme dhe arsyetimi që i bëhej asaj ishte që ajo duhet të qëndronte në shtëpi e të kujdesej për familjen e fëmijët e saj.

E di çka është edhe më e dhimbshme? Të shohësh një grua atje tek një cep shtëpie gati të rrënuar, e harruar nga fëmijët e saj vetëm e vetëm në përqafimin e rrudhave lakmuese të saj. Dhe vetëm sepse është një femër, dikur vajzë e më vonë një zonjë.

Nuk mundem të harroj kurrë një moment kur na u drejtua një pyetje, vajza dhe djem: ‘’Si mendoni ju, pse ushtrohet më shumë dhunë ndaj femrave?’’ – S’e di, ndoshta është mendjelehtësia! –u përgjigj njëri nga meshkujt e grupit.

Mbeta e shtangur, nuk kisha forcë as të kundërshtoja as të bëja diçka. Truri më bluante ide që një mentalitet si ky, rëndë të shërohet.

Ngrite zërin e dashur, lufto, bërtit, mos mbaj duart kryq. Dil nga ajo strehë e zezë, jeta jote është vetëm jeta jote dhe e askujt tjetër. Merre kohën tënde, është radha jote të shfaqesh, trego që ne jemi të forta kur duam, trego që respekti për veten tonë është më i madh se çdo kush tjetër. Kthe kohen dhe trego se morali jot është më i vlershëm se gjithçka tjetër, dhe tuneli në fund ka çdoherë një dritë të bardhë për ne.

Nëse zgjedh heshtjen, ngelet i vetmi armik për ty por nëse zgjedh të flasësh e gjithë bota është me ty, dhe në fund të fundit edhe luani s’mund t’ia bëj vetëm pa një luaneshë!

Gentiana Mustafa