UEJL më ofroi inspirimin dhe mundësitë për ta nxjerrë në pah kreativitetin tim

Intervistë me Besim Islami, student i Universitetit të Evropës Juglindore, i cili i vazhdon studimet në Universitetin e Harvardit.

  1. Cila ka qenë eksperienca e juaj me universitetin tonë?
    Si çdo i ri, edhe unë kisha ëndrrat e mia, prandaj edhe u regjistrova në UEJL, duke shpresuar se do t’i realizoj së paku ato ëndrra që kanë të bëjnë me ngritjen time intelektuale dhe personale. Fatmirësisht, zgjodha institucionin e vërtetë, sepse pikërisht ky universitet më ofroi inspirimin dhe mundësitë për të zhvilluar aftësitë e mia, për të thelluar diturinë, për ta nxjerrë në pah kreativitetin tim si dhe të marr guximin për ta përmbushur vizionin tim jetësor e të ballafaqohem edhe me një sfidë të re akademike jashtë shtetit.
  2.  Sa ju ka ndihmuar përvoja dhe njohuritë e Universitetit të Evropes Juglindore për tu regjistruar në Harvard?
    Përvoja që kam fituar në UEJL, plan programi i tij, e posaçërisht ligjëruesit, më kanë ndihmuar që përmes një edukimi ndërdisiplinor, të plotësoj dijen time, të shpreh mendimet e mia në formë të shkruar apo verbale, të kuptoj konceptet dhe teoritë abstrakte dhe në përgjithësi ta kuptoj më mire botën dhe shoqërinë ku jetoj. Thënë shkurt, përvoja ime në UEJL ka qenë vendimtare në hedhjen e bazave të përgatitjes për jetën dhe projektimin e karrierës time profesionale dhe sociale,  ndërtimin e së cilës tani po e vazhdoj në bankat e Universitetit të Harvardit.
  3. Si arrite të adaptohesh nga UEJL në Harvard?
    Mjaft lehtë. Duke u nisur nga fakti se  UEJL paraqet një kombinim të përsosur të pedagogëve dhe specialistëve të shquar e me përvojë dhe kurrikulave moderne perëndimore, mund lirisht të them se nuk e kisha aspak vështirë të adaptohem në këtë universitetet prestigjioz, në Universitetin e Harvardit. Natyrisht, më prêt një angazhim serioz, se fundja, pa një angazhim të tillë nuk mund të arrihet sukses në asnjë universitet.
  4. A mban kontakte akoma me universitetin tonë?
    Edhe pse u transferova në SHBA për ta vazhduar rrugëtimin tim akademik, asnjëherë nuk ndërpreva kontaktet me disa nga profesorët e mi të nderuar, të cilët më kanë shërbyer si shembull dhe më kanë ofruar përkrahjen e tyre që të mund të realizoj synimet e mia  profesionale , e mbi të gjitha, të zhvilloj pasionet dhe interesat e mia  edhe jashtë vendit. Biseda e takimi me ta, qoftë në ndonjë manifestim akademik apo mbledhi private, do të ishte kënaqësi e madhe për mua, por edhe një rast i mire për të mësuar edhe diçka tjetër të re.
  5. Cili do të ishte mesazhi yt për studentet aktual dhe të ardhshëm të UEJL-së?

Krijoni vizionin tuaj dhe bëni çmos që ta realizoni atë. Asnjëherë mos dyshoni në aftësitë dhe mundësitë tuaja dhe qëndroni guximshëm përballë sfidave dhe vështirësive të shumta me të cilat do të ballafaqoheni në rrugëtimin tuaj akademik dhe personal.