Rubrika 10 minuta në TV21: Intervistë me rektorin e të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Prof. Dr. Zamir Dika

UEJL po identifikohet si model i veçantë i arsimit sipëror dhe model që ndjek trendet novatore

  • Kemi dizajnuar sistemin e bursave meritore, ku çdo studenti shembullor nga shkolla e mesme me notën mesatare 5.00, Universiteti ia mbulon 50% të pagesës së shkollimit, kurse studentëve që kanë sukses të përgjithshëm në shkollën e mesme 4.5 deri 4.99, Universiteti ua mbulon 30% të pagesës së shkollimit dhe ky standard i bursave vlen për të gjithë studentët nga Maqedonia, Kosova, apo i tërë rajoni.

Si po rrjedhin aktivitetet në kuadër të veprimtarisë së arsimit të lartë të Universitetit të Evropës Juglindore dhe cilat janë programet studimore që ofron ky universitet?

Rektori Dika: Duke patur parasysh natyrën e themelimit të Universitetit tonë, duke patur parasysh se është investim i bashkërenditur midis bashkësisë ndërkombëtare, komunitetit lokal dhe aspiratave të të rinjve për studim në arsimin sipëror në gjuhën shqipe, duke patur parasysh faktin se investimi për themelimin e Universitetit të Evropës Juglindore nuk erdhi vetëm për ndërtimin e një kampusi modern, por gjithashtu një pjesë e madhe e këtij investimi erdhi si ndihmë për ngritjen e kapaciteteve dhe standardizimin e universitetit me përvojën ndërkombëtare të partnerëve ndërkombëtarë (mendohet në SHBA, BE etj. pl. yni) që e themeluan Universitetin. Prandaj, duke ndjekur këtë fat të bashkëpunimit shumë të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, gjatë gjithë kohës jemi duke i ndjekur trendet në kuadër të Hapësirës së Përbashkët Arsimore Evropiane. Po ashtu, ndjekim edhe kërkesat e tregut ndërkombëtar në drejtim të përgatitjes së të diplomuarve tanë, për ç’gjë para dy javësh Bordi i universitetit, ku gravitojnë edhe përfaqësues ndërkombëtarë, e miratuam Planin Strategjik të Universitetit të Evropës Juglindore për periudhën 2017-2020, të cilin e kemi emërtuar si UEJL 4.0 dhe që korrespondon me zhvillimin teknologjik. Përderisa planin paraprak strategjik e kishim emërtuar 3.0, i cili fokusin e kishte në dije dhe shkathtësi, me planin e ri strategjik ecim përpara, duke tentuar të mishërojmë teknologjinë dhe mënyrat e të nxënit të dijeve dhe kompetencave nga studentët tanë. Në këtë frymë, kemi hapur edhe konkursin për regjistrimin e studentëve në vitin akademik 2017/18, ku për dallim nga universitetet tjera publike që ndoqën trendet e masivizimit, 16 vite kemi mbetur me po aq fakultete sa në fillim, pra 5 fakultete, si Fakulteti i Biznesit edhe Ekonomisë, Fakulteti i Teknologjive dhe Shkencave Bashkëkohore, fakultete këto që ndjekin standardet amerikane të arsimit sipëror, 3 fakultete të domenit publik si, Fakulteti i Drejtësisë, Administrimit Publik dhe Shkencave Politike dhe Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, i cili në vete ngërthen komponentin shumëgjuhësor. Këtë vit, konkursi është i hapur për ciklin e parë dhe të dytë të studimeve.

A mund të na tregoni pse studentët shqiptarë dhe të tjerë e zgjedhin këtë Universitet për studime?

Rektori Dika: Ndoshta, njëra nga arsyet është për shkak se ka shumë oferta në arsimin sipëror, kurse universiteti ynë po identifikohet si model i veçantë i arsimit sipëror dhe model i cili i ndjekë trendet novatore. Këtë vit, për herë të parë në një institucion të lartë në rajon, do ta aplikojmë sistemin e ashtuquajtur “të tutorimit”, ku çdo student, i cili do të regjistrohet në Universitetin e Evropës Juglindore, do të ketë një tutor (profesor), i cili do të kujdeset për ecjen akademike dhe karrierën e studentit. Duke e patur parasysh se gjeneratat e reja vijnë me një ndërtim digjital, me përvojën shtatë vjeçare të ndërtimit dhe përdorimit të sistemit të menaxhimit të mësimit elektronik, këtë vit pavarësisht nga cilido cikël apo gjuhë studimore të gjitha përmbajtjet janë vendosur në google classroom dhe përkujdesemi që studentët edhe kur nuk janë në klasë t’i mbajmë të angazhuar dhe aktiv. si dhe bashkërisht të arrijmë nivelin e dijeve dhe shkathtësive që i kemi projektuar që në fillim. Këtë vit me kërkesë të vetë studentëve dhe kërkesave të tregut të punës që te kemi më shumë punë praktike dhe përvoja praktike t’u ofrojmë studentëve gjatë studimit, që kur të diplomojnë të jenë të gatshëm të ndeshen drejtpërdrejtë me tregun e punës dhe t’u ndihmojnë kompanive ta rrisin performancën e tyre. Për këtë qëllim, kemi një qasje shumëdimensionale në përvojat praktike të studentëve tanë, duke filluar nga mësimi klinik në çdo fakultet nga profesionistë të dalluar. Po ashtu, bashkë me profesorët tanë jemi duke i trajnuar me qëllim që gjatë realizimit të lëndëve të ofrojnë më shumë studime rasti dhe vizita në kompani dhe bizneseve. Bazuar në përvojën që kemi me Qendrën për zhvillimin e biznesit, Parkun teknologjik dhe Qendrën e karrierës (funksionon gati 7 vite), arrijmë që studentëve tanë t’ua rrisim cilësinë e punës praktike nëpër kompani dhe në këtë mënyrë mendojmë se do t’u përgjigjemi kërkesave të studentëve dhe bizneseve për më tepër eksperienca praktike. Komponenti tjetër që na dallon është ndërkombëtarizimi në universitet. Një komponentë tjetër e veçantë që na dallon është përgjegjësia shoqërore qe e ka ndërtuar universiteti kundrejt komunitetit. Jemi universiteti i vetëm eko në rajon, që kemi bërë investime në ekologji dhe punojmë në ngritjen e kulturës ekologjike.

Me cilat sfida ballafaqohet arsimi i lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni?

Rektori Dika: Është një temë shumë e zgjeruar. Mendoj se faza e qasjes në arsimin e lartë në gjuhën shqipe ka përfunduar. Tani, pason faza e përkujdesjes për cilësinë e dijeve, shkathtësive dhe kompetencave që do t’ua ofrojmë studentëve tanë, që të jenë më të dobishëm në tregun e punës dhe në shoqëri, por edhe ndaj aspiratave të Maqedonisë dhe rajonit në Bashkimin Evropian. Jo vetëm integrime politike, por edhe me vlera të të diplomuarve tanë. Sfida e ardhshme në arsimin e lartë është që të përkujdesemi që jo vetëm të kemi një ligj të ri të arsimit të lartë, por edhe një model i financimit të arsimit të lartë, duke u përkujdesur që ofertat akademike mos jenë vetëm masovike, por të përshtaten me nevojat e tregut, por edhe me resurset dhe kapacitetet që ka akademia shqiptare në Maqedoni. Gjithashtu, kisha përmendur një komponentë që mungon e që është bashkëpunimi mes institucioneve, por edhe bashkëpunimi rajonal në sferën e arsimit të lartë.

Për vitin akademik 2017/18, në ciklin e parë të studimeve janë paraparë bursa. Për cilët degë janë paraparë dhe kush mund të aplikojë për bursë në Universitetin tuaj?

Universiteti i Evropës Juglindore është një e mirë jo vetëm për vete, por e gjithë kjo përvojë ndërkombëtare dëshirojmë të jetë sa më e qasshme për të gjithë ata që aspirojnë të marrin dije, shkathtësi dhe kompetenca të këtij formati. Prandaj, çdo vit përkujdesemi, që të bëjmë një politikë financiare, që secili student që është i shkëlqyeshëm të mos ketë asnjë barrierë financiare për t’u regjistruar në UEJL. Prandaj, kemi dizajnuar sistemin e bursave meritore, ku çdo studenti shembullor nga shkolla e mesme me notën mesatare 5.00, Universiteti ia mbulon 50% të pagesës së shkollimit, kurse studentëve që kanë sukses të përgjithshëm në shkollën e mesme 4.5 deri 4.99, Universiteti ua mbulon 30% të pagesës së shkollimit. Ky standard i bursave vlen për të gjithë studentët nga Maqedonia, Kosova, apo i tërë rajoni.

I përmendët vendet e rajonit. Me cilët universitete universiteti juaj ka bashkëpunim. E kemi fjalën për Kosovën dhe Shqipërinë?

Rektori Dika: Universiteti i Evropës Juglindore, duke patur këtë komponentë ndërkombëtare ka bashkëpunim me pothuajse çdo universitet publik, por tani është faza që këto marrëveshje të mos i numërojmë me shifra, por sipas cilësisë. Mendoj që, ka hapësirë për rritjen e bashkëpunimit midis universitete ku gjuha e studimit është gjuha shqipe. Kemi edhe një veçanti, pasi ndoshta jemi i vetmi universitet në rajon, ku mund të studioni në gjuhën maqedonase, posaçërisht në gjuhën angleze.

Ju keni punuar në ndërkombëtarizimin e Universitetit të Evropës Juglindore. A mund të na thoni çfarë nënkupton ky term për universitetin tuaj?

Rektori Dika: Nëse pyesni kështu, çdo universitet do të përgjigjet se është duke e realizuar ndërkombëtarizimin. Kjo kërkon një dedikim, resurse dhe investim të madh të universitetit. Përveç përvojës 16 vjeçare të fuqishme të bashkëpunimit me universitetet ndërkombëtare, gjithashtu ne kemi vendosur një target që në çdo program studimor, pavarësisht se në cilën gjuhë studiohet, së paku një profesor ndërkombëtar duhet ta mbajë një lëndë në gjuhën angleze. Gjithashtu, kemi 21 të punësuar në Qendrën e gjuhëve, lektorë me magjistratura dhe edukim profesional për t’i përgatitur studentët tanë me kompetenca të gjuhës angleze, ku iu mundësojnë studentëve të rrisin nivelin e njohjes së gjuhës angleze, shkathtësi kjo shumë e nevojshme dhe e dobishme për tregun e punës. Po ashtu, në këtë drejtim do t’i veçoja edhe programet e mobilitetit, ku çdo studentë gjatë studimeve ka mundësi që një semestër ta kryejë në njërin nga universitet partnere në Evropë dhe këto përvoja ndërkombëtare i ndihmojnë ata të jenë më të punësueshëm dhe më të dobishëm për shoqërinë.