Hafije Fejzuli – Një copë rrëfimi nga mozaiku

Një copë rrëfimi nuk përmbledhet ndryshe pos në një mbrëmje të ftohtë nëntori, që të rikthen në kohë. Sonte, unë po kthehem në një ditë para pesë viteve. Ndonjëherë rrëfimi nuk i mbledh në një vend vetëm fjalët për atë ngjarje, por edhe kujtimet i pikturon si në një pikturë të shkarravitur që në fund del fytyra më origjinale e asaj ngjarjeje.
Ja një copë kujtimesh të radhitura në një rrëfim:
Për herë të parë kur hyra në kampusin e Universitetin e Evropës Juglindore isha e shoqëruar me babain tim. Sapo shkelëm aty u shikuam të dytë edhe pse nuk folëm asnjë fjalë e kuptuam njëri-tjetrin. Sikur shikimi ynë përcillte fjalët: ku jemi tani? Jemi ende brenda shtetit tonë apo shkelëm në ndonjë copë toke tjetër që mund të ishte pjesë e shkëputur nga vendet më të përparuara botërore dhe i ishte bashkëngjitur këtij vendit tonë si një shtojcë për zbukurim. Vetëm në hyrje më erdhën gjithë këto mendime. Unë  erdha nga Kumanova dhe fatkeqësisht një objekt të tillë se posedonin vendet e mësimit atje. Po mendoja me veten, ia paska vlejtur gjithë kjo udhë që bëra deri këtu. Papritur, lodhja sikur mu lehtësua sepse çdo hap që po bëja po mrekullohesha edhe më shumë. Por, jo vetëm nga objektet nuk qe kjo habi, por nga gjithçka, duke filluar nga njerëzit që po takonim. Që në hyrje rojen që takuam, na përshëndeti miqësisht duke na orientuar deri te ndërtesa e administratës me numirn 802. Akoma e mbaj mend këtë numër, akoma i di edhe sportelet, madje edhe punonjësit i mbaj mend. Ishte kohë  pushimesh ende për stafin, por dyert nuk ishin të mbyllura. Takuam aty njërin nga përgjegjësit, i cili me të kuptuar që udhëtonim nga Kumanova (tani më vjen për të qeshur, sepse nuk është se kisha udhëtuar mijëra kilometra, por më dukej udhëtim i gjatë ndoshta se po ecja drejt ëndrrës), na ftoi në zyrë  fillimisht për të pushuar pak e për tu çlodhur e pastaj për të biseduar. Pasi morëm informacionet e nevojshme duke na dëshiruar udhëtim të mbarë na buzëqeshi lehtë, për të marrë kështu me vete ne edhe një  fytyre të buzëqeshur. Edhe këtë njeri kurrë se harrova. Madje edhe pas 4 viteve kur hyra përsëri në këtë zyrë për të marrë dokumentacionet e nevojshme për vazhdimin e studimeve në ciklin e dytë, e takova përsëri po të njëjtin. Mu rikthye dita e parë, e falenderova pa vetëdije duke u habitur edhe vet ai, por u soll miqësisht sikur ditën e parë  kur i tregova pse ishte ai falenderim.
Ishte kjo dita e parë që çuditërisht gjithnjë sapo dëgjoj fjalën UEJL më kujtohet kjo pjesë. Madje rrugës gjatë kthimit më erdhën në kokë disa mendime që nga lodhja, nuk po i mbledhja me një vend, por me tu kthyer në shtëpi, shpejt e shpejt i thurra vargjet dhe krijova edhe poezinë që sot ende mbetet me shkrim dore dhe në po të njëjtën letër që është shkruar atë ditë. Pas kësaj i njoftova edhe motrat për këtë mrekulli. Po, për mua ky përjetim kishte marrë një emër, e ai ishte mrekulli. Tani që e kujtoj atë ditë, përsëri shpesh më vjen për të qeshur, sepse po e përshkruaja sikur kisha udhëtuar deri në ndonjë tokë ëndrrash. Ishte kjo shpresa për realizimin e ëndrrës sime. Tanimë, shpresa ishte diku.
Mbaj mend edhe udhëtimin trevjeçar në Departamentin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit. Një miqësi e ngushtë mes kolegësh, profesorët që ende sot e nga ajo ditë  falenderoj Zotin që pata mundësi t’i takoj. Jetës nuk i dihet, por në diçka jam e sigurtë, do të vijë dita që me krenari do të them po e di këtë emër, sepse unë isha studentja e tij/saj. Nuk i harroj edhe përtacitë e mia jo shumë të shpeshta, se mendoja shumë poet ka në letërsinë shqipe. Madje për të hulumtuar e studiuar për secilin prej tyre duhej kohë dhe mund. Por, sapo fillonin poezitë apo romanet e tyre, sapo fillonte bashkëbisedimi rreth letrsisë sonë, ndërroja mendje, brohorisja pa zë se kjo, pikërisht këta ishin pasuria e kulturës sonë. Këta profesorë arritën ta ushqenin në mua dashurinë e madhe për gjuhën e kulturën. Mbaj mend bukur edhe kohën e provimeve, materialet, punimet, konviktin e shoqeve si edhe bibliotekën. Jo rrallë herë te kjo e fundit iknim edhe vetëm për të kaluar kohë në internet. Kohë e bukur studimesh edhe kjo. Nga ky udhëtim mbaj mend edhe aktivitetet shtesë, ligjëratat me profesorë të dalluar nga Shqipëria si dhe konferencën për shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.
Madje, rëndësia e UEJL-it për mua qëndron edhe në vete atë se pa më njohur më besoi fort. Më besoi se duhej të isha studente, më përkrahu me bursë, sepse besoi se kam vlera. I qëndrova besnike edhe unë, nuk e zhgënjeva edhe unë, sepse ku shkoj flas për vlerat e Universitetit, ato që i posedon.
Këto tri shtylla formojnë UEJL-in për mua: dita e parë, Departamenti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komnunikmit së  bashku me profesorët si dhe vlerësimi që më bëri ky Univerisitet. Shumë e shumë përjetime tjera duhej të ishin pjesë e këtij rrëfimi, sepse çdo ditë e kaluar në këtë kohë studimesh mbart me vete një tregim. Nga hyrja në kampus, gjithë ecjet nëpër ndërtesa e deri te koha e daljes, çdo ditë sillte diçka të re. Sepse kjo ishte koha e studimeve, ishte pjesa më e bukur e jetës, jeta studentore. Falemnderit Universitet që këtë periudhë të jetës ma bëre aq të bukur sa për ta kujtuar edhe sot me kaq emocion. Me shumë nostalgji do ta kujtoj edhe shumë kohë.
Falemnderit Universitet. Jetofsh gjatë!
Rrëfimet si ky qofshin copëza mozaiku në skulpturën që do ta vendosësh në shtyllën e arsimimit e të formimit në këtë vend.