Manifestimi i ‘Ditës së hapur’ në UEJL

Edhe këtë vit UEJL mirëpriti maturantët në manifestimin e përvitshëm ‘Dita e hapur’. Më datë 9 Prill, kampusi i Tetovës priti nxënës nga shkollat e mesme të Maqedonisë, Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Preshevës dhe vendeve tjera. Ku të gjithë kishin rastin që në kuadër të programit të ditës së hapur të njoftohen me ofertën e re të universitetit për vitin e ri akademik 2016-2017.

Siç parashikonte edhe programi, përpos prezantimit qendror, u mbajtën edhe prezantime për secilin fakultet veçmas, ku kishte mjaft interes nga ana e maturantëve. Rrjedha e aktiviteteve vazhdoi më tej me panairin e gjuhëve, të organizuar nga Qendra e gjuhëve. Edhe Parlamenti studentor iu bashkangjitë programit, me disa lojëra të organizuara për të zbavitur nxënësit vizitor.

Muzika gjithashtu nuk i mungoi manifestimit, me këndim dhe vallëzim në hapësirat e byfesë. Përmbyllja ishte argëtuese, ku të gjithë maturantët e inkuadruar në lojën e anagramit, prisnin të ishin në dhjetëshen fituese. Kështu 10 nxënës kishin fatin të shpërblehen me telefona celularë.