Studentët shkruajnë… MJERIMI

Mjerimi 

Mjerimi shfryn me zemërim në shpirtrat e lirë të endacakëve të orëve të vona ,të të pastrehëve që humbën gjetkë. Godet pa meshirë në barkun bosh ku zorrët ulërasin me furi për një copëz buke. Ajri i tij i rëndë ka depërtuar në çdo skaj ,në çdo copëz lëkure duke e katandisur shpirtin e të vobektit në një ikonë pa ngjyra të shekullit të kaluar. E ai ulet në skajet më të ngushta të qytetit që gumëzhin e vështron, e hedh sytë e lodhur andej e këtej, e hera herës zgjat dorën e akullt drejt figurave indiferente që lëvizin me shpejtësi marramëndëse. Disa kalimtarë madje me një keqardhje të stërholluar hedhin monedha zhurma e të cilave godet mu në zemër sedrën e tij të përdhosur. E ka bërë të ulet në gjunjë sa e sa herë e krenaria e tij tashmë nuk vlen as pesë para. Pyet pa pushim e përgjigja e tij humbet në humnerën e kohes, varroset bashkë me fatin e tij. Mjerimi është si një mik i paftuar që kurdoherë ’’të urdhëron’’ në shtëpi e të bën ta mirëpresësh me një buzëqeshje të shtirur.

 

Venera Kaba (prozë )